Michele D’Angelo, profesori italian i biologjisë i cili u përfshi në aksidentin tragjik të 8 gushtit në aksin Levan-Fier, është rikthyer në Itali. Ai u lirua nga qelia ditën e djeshme me vendim të Gjykatës së Fierit, e cila vendosi lirimin në këmbim të garancisë pasurore në vlerën 15 mijë euro.
Vendimi i Gjykatës së Fierit është marrë 2 ditë më parë dhe u vendos lehtësimi i masës së sigurisë arrest me burg, ndërsa sipas vendimit profesori italian do duhet të paraqitet të premten e fundit të çdo muaji në orën 14:00 para oficerit të Policisë Gjyqësore në Komisariatin e Fierit.
44-vjeçari i cili prej 75 ditësh ishte burgosur në vendin tonë, pasditen e djeshme së bashku me partneren e tij Vanessa Castelli, ka zbarkuar në aeroportin e Fiumicinos- në Romë dhe më pas është drejtuar për në L’Aquila, në qytezën e tij ku dhe prej vitesh jep mësime në Universitet. Lirimi i tij u pasqyrua dhe në mediat italiane ku më tej thuhet se transferimi i Michele D’Angelo është kryer mes sekretit maksimal nga ana e autoriteteve italiane dhe atyre shqiptare.
Partnerja D’Angelo ka theksuar se makthi ka përfunduar dhe se 44-vjeçari tani mund të marrë frymë lirisht.
"Michele është shumë i tronditur, por mund të themi se makthi ka mbaruar; tani mund të marrim frymë", tha partnerja e tij, e cila ka ndjekur çdo hap të procesit gjyqësor.
Michele D’Angelo, profesor biologjie në Universitetin e Aquila u arrestua më 8 gusht të këtij viti. Teksa ishte me pushime në vendin tonë, ai u përfshi në një aksident në autostradën Levan-Fier. Automjeti me të cilin po udhëtonte italiani u përplas me një mjet tip Mercedes. Si pasojë e aksidentit një 17-vjeçar humbi jetën 3 ditë më pas në spitalin e Traumës.
Vendimi i Gjykatës së Fierit:
Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u mor ne shqyrtim, në seancë gjyqësore me dyer të mbyllura, cështja penale që u përket palëve, më datë 22.10.2025, pasi mori në shqyrtimi, në seancë gjyqësore me dyer të mbyllura, kërkesën penale me palë:
KËRKUES: M.D, mbrojtur nga Av.Toto Avdija, me numër licence 11326, anëtar i Dhomës së Avokatisë Fier, zgjedhur me deklarim para Gjykatës, në prani të përkthyesit të licencuar Av.Admir Filaj, me licencë numër 562.
KUNDËR: Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfaqësuar nga Prokuror Greta Dreni.
OBJEKTI: Zëvendësimin e masës së sigurimit personal nga “Arrest në burg”, në “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, ose “Garancia pasurore”.
BAZA LIGJORE Neni 246 dhe 260 i Kodit të Procedurës Penale
PËR KËTO ARSYE
Gjykata, mbështetur në nenet 228, 229 dhe vijues dhe në nenin 260 të Kodit të Procedurës Penale,
V E N D O S I
1. Pranimin e kërkesës së kërkuesit M. D
2. Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, caktuar me vendimin nr.62-2025-4585-(1305), datë 12.08.2025, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, me masat e sigurimit personal të “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Garancia pasurore” e parashikuar nga neni 234 dhe 236 i Kodit të Procedurës Penale.
3. Garancia pasurore përcaktohet në shumën 15,000 (pesëmbëdhjetë mijë) Euro/ ose 1,500,000 (njëmilionepesëqindmijë) lekë dhe duhet të depozitohet brenda 5 (pesë) ditëve, nga dita e shpalljes së këtij vendimi, në një bankë të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë.
4. Personi nën hetim M.D qëndron me masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, deri në depozitimin e shumës së garancisë pasurore, sipas këtij vendimi dhe deri në njoftimin e Prokurorit.
5. Urdhërohet Prokurori për verifikimin të dokumentacionit përkatës si dhe menjëherë dhe në çdo rast jo më vonë se 24 orë nga njoftimi për depozitimin e shumës së garancisë pasurore, të urdhërojë, sipas rastit, lirimin e menjëhershëm të personit nën hetim M.D, nëse ai nuk mbahet apo nuk duhet të mbahet për efekt të ndonjë mase tjetër sigurimi apo vendimi dënimi, ose konfirmimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”.
6. Urdhërohet personi nën hetim M.D të paraqitet para oficerit të policisë gjyqësore, pranë Komisariatit të Policisë Fier, një herë në muaj, përkatësisht, të premten e fundit të çdo muaji, ora 14:00.
7. Urdhërohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier dhe Policia Gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
8. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 5 (pesë) ditëve nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit.
U shpall në Fier, sot në datë 22.10.2025!
GJYQTAR
ELIRA HRONI
Komente







Nuk mendoj se eshte normale qe te detyrohet te vije nga Italia cdo muaj, te paraqitet ne nje dite e ore te caktuar para gjykates se Fierit.Mund te ishte me mire qe t'i kerkohej gjykates se L'Aquilas te bente rolin e gjykates se Fierit dhe te paraqitej aty dhe me SKYPE t'i vertetonte kesaj te fundit paraqitjen e te akuzuarit.Akuza eshte e rende,por Italia nuk eshte Tirane, prej te ciles mund te shkosh cdo muaj e te paraqitesh ne Fier me urdher gjykate.Eshte larg e ka shpenzime te medha.Vendimi i gjykates se Fierit per paraqitje cdo muaj eshte absurd.
PërgjigjuDo shenojme ne statistike nje turist me teper cdo muaj or teeeejjjjj
Mendoni sikur kjo ti kishte ndodhur nje shqiptari ne Itali cfare do kishte ndodhur.
PërgjigjuAs ka për tu kthyer më në Shqipëri ky tipi. Gjyqtarja që e ka liruar mbase e gjen nga Zoti këtë që i ka bërë djalit 17 vjeç që nuk jeton më.
Përgjigju