Aida në një intervistë për Shqiptarja.com rrëfen se ka një raport të përditshëm me violinën gati një jetë me të, pasi edhe i ati është kujdesur që në vogëli duke i blerë partiturat. Përveç violinës kur Aida ishte fëmijë babi i ka blerë një piano të vogël ku ajo dilte nëpër lagje dhe u mësonte bashkëmoshatëve të saj ndonjë notë muzikore. Babi i saj e mbështet që ajo luan me violinë nëpër sheshe duke kujtuar kështu fëmijërinë, ndërsa e ëma merakoset por i kujton gjithmonë mos të lodhet dhe të dalë e larë dhe e hekurosur.
Ajo që i tërheq vëmendjen Aidës te reagimi i njerëzve janë fëmijët e vegjël që mezi largohen dhe çiftet e sapomartuar që kërkojnë të bëjnë foto si nusja me fustanin e bardhë.
“Fokusi im është violina kështu që nuk e vë re dhe aq reagimin, por ajo që është e dukshme, janë fëmijët nën 3 vjeç të cilët mezi shkulen nga vendi, shpesh nuk duan të largohen, pensionistët ndalen e dëgjojnë me vëmendje, por edhe të rinjtë, studentët, çiftet e dashuruara...ndonjëherë më afrohen për foto edhe ndonjë çift i sapomartuar, nusja me fustan të bardhë, dhe dhëndri që bën sikur i bie violinës”, tregon Aida.
E pyetur pse Aida ka zgjedhur të qëndrojë këmbëzbathur në sy të kalimtarëve, përgjigja e saj nuk lë vend për interpretim: “Bëhem shumë e gjatë me taka dhe hipur në trotuar, plus më pëlqen të ndjej energjinë e tokës, është gallatë të ecësh zbathur në stinën e verës”.
Tani e kam shumë të qartë përkufizimin e lirisë: një fustan ngjyrë të ëmbël mbi gju, flokët me baluke të kapura shkujdesur, këmbët e zbathura që prekin tokën dhe një violinë në duart e imta që krijon tinguj të cilat ngjajnë me zërin e njeriut. Aida bën të mundur që nga pedonalja e Tiranës për një moment të zhvendosesh në një nga rrugicat e Parisit të vjetër, në Monmartre dhe të çlirohesh nga ngarkesa e ditës. Për të mësuar më shumë rreth ditëve dhe shpirtit të saj të lirë, lexoni intervistën e plotë.
Intervista e plotë
Cila ka qenë puna jote e parë Aida?
Audicioni për të hyrë në shkollën e muzikës, për mua ishte një projekt koncertiv acapella, ku performova disa këngë të festivalit më të madh në TVSH, këngë të madhështoreve Irma Libohova, Ema Qazimi, Parashqevi Simaku, Ermira Babaliu, Bashkim Alibali, Aferdita Zonja. Doja të ishte një spektakël i vërtetë.
Çfarë ke studiuar? Ku?
Për 13 vjet kam studiuar violinë në Shqipëri, tek liceu artistik, dhe Akademia e Arteve te Bukura, për të vazhduar në Hungari, Turqi dhe Londër ku kam studiuar në Universitetin West London, për publicitet, regjistrim tingulli dhe gjuhë të huaja, gjermanisht, dhe pak frëngjisht. Jam arsimuar me muzikë klasike, nga mësues me cilësi të lartë, si Mamica Trako Qiringji, Mirela Evro, Vasilika Nano, Lorenc Radovani, Faik Aliev (Hungari) dhe falë ekselencës të tyre në mësimdhënie, në repertorin tim, gjallojnë kompozitorë të mëdhenj të muzikës klasike të huaj dhe shqiptare, Mozzart, Vivaldi, Paganini, Bach, Pjetër Gaci, Mendelsohn, Elgar, Bach, Bethooven, Shopen, Thoma Gaqi.
Çfarë raporti ke me violinën?
Raporti ynë është i përditshëm. Ok përveç ndonjë ditë pushimi, apo kur ajo ka nevoja për riparime të posaçme, ku është mirëmbajtur nga disa maestro shqiptarë dhe të huaj, si Astrit Tafaj, Elinor Butka, Milor Caushi, Ekrem Ozturk...
Si reagojnë njerëzit kur të shohin teksa performon në mënyrën tënde?
Fokusi im është violina kështu që nuk e vë re dhe aq reagimin, por ajo që është e dukshme, janë fëmijët nën 3 vjeç të cilët mezi shkulen nga vendi, shpesh nuk duan të largohen, pensionistët ndalen e dëgjojnë me vëmendje, por edhe të rinjtë, studentët, çiftet e dashuruara...ndonjëherë më afrohen për foto edhe ndonjë çift i sapomartuar, nusja me fustan të bardhë, dhe dhëndri që bën sikur i bie violinës...
Pse këmbëzbathur?
Bëhem shume e gjatë me taka dhe hipur në trotuar, plus më pëlqen të ndjej energjinë e tokës, është gallatë të ecësh zbathur në stinën e verës!
A ka ndikuar familja në zgjedhjen tënde?
Familja ime ka suportuar vendimin tim të hershëm për të studiuar për violinë, babai më blinte shpesh në Tiranë partiturat, dhe telat e violinës, por më ka blerë edhe nja dy kukulla të lezetshme, edhe një piano me bisht të kuqe, të vogël me një oktavë, ku unë dilja nëpër lagje për tu mësuar kalamajve ndonjë note. Babit i pëlqen që luaj edhe nëpër sheshe, ndërsa mami tani është mësuar me idenë dhe e merakosur si çdo nënë, më kujton mos lodhem shumë, dhe të dal e larë dhe e hekurosur!
Si është një ditë e zakonshme e jotja?
Ditën e nis me ushqim me karbo, lëngje frutash, banane, dhe kafe! Preferoj afër pemëve, sa më shumë pemë, kur luaj ne pedonale, ulem te kafja e pemezuar, here vetëm, herë me miq artistë, ku luajmë dhe ndonjë kënge spontanisht, madje dhe repertor popullor, kënge Matjane, Shkodrane, Korçare,Kosovare por edhe këngë botërore. Udhëtoj, kompozoj, dhe me inkurajimin e artistëve si Ilirian Pema, Bledar Gercaliu, pikturoj, më intereson dhe joga, free style dance dhe noti.
Cilët nga artistët e rrymave aktuale parapëlqen të dëgjosh?
Bojken Lako, Gjergji Jorgaqi, Ilirian Pema, Mirgen Huba, Ergys Meta, Linda në botën e çudirave, Mariza Ikonomi, 00 Genti, Radiohead, Muse, Fharel, Snoopdogg, Ellie Goulding...
Je fanse e ndonjë personaliteti politik?
Meqë kemi gjyshërit nga i njëjti fshat, dhe ai është simpatik dhe pa parti, jam fanse e Princ Leka Zogu.
Çfarë angazhimesh ke përveç violinës?
Prej 5 vjetësh punoj si konsulente artistike tek Tirana Ekspres, e cila është krijuar 10 vjet më parë, nga një grup vizionar, i përkushtuar, artistësh dhe artdashës, plus së bashku me regjisoren alternative Lorena Hida jemi duke punuar për realizimin e filmit tonë të dytë, në këtë rast si co-producente dhe kompozitore e kolonës zanore.
Dhe si përfundim ke ndonjë ëndërr të paplotësuar?
Nuk kam bërë akoma një kek apo lakror, dhe nuk kam shkuar akoma në Beverly Hills për të pirë një kafe me pizhame firmato.
Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com