DURRES - Aleanca KuqeZi nga qyteti bregdetar i Durrësit denoncoi skandalin e radhës te qeverisë së kryeministrit Berisha. Porti i Durrësit, sipas AK-së, tashmë ka hyrë në procedurat e privatizimit të prezantuara nga organet qeverisëse, privatizim që shkon në favor të klientëve të Damir Fazlliç, i cili njihet për lidhjen e ngushtë me kryeministrin Berisha.

Sipas Aleancës KuqeZi, kjo gjendje e këtij porti, që do duhej të ishte nyja kryesore e tregtisë me vendet e Bashkimit Evropian, lidhet qartazi me vizionin e munguar të politikës 22 vjeçare. “Shqipëria është i vetmi vend në botë që nuk ka një traget, anije dhe flotë detare që të përfaqësojë flamurin kombëtar”, lexohet në deklaratën e AK.

“Porti i Durrësit i cili duhej të ishte porta e kombit, nga një ure drejt Evropës është shndërruar ne kontrabandë mallrash, ndërsa deklarata vijon “Ky port është kthyer nga sekserët e qeverisë së Sali Berishës në nyjën kryesore të trafikimit të lëndëve narkotike dhe qenieve njerëzore sepse administrata e tij është tej mbushur me militantët e mafies bardhe e blu”.

Aleanca KuqeZi denoncon me forcë dhe ngre zërin për diskriminimin që i bëhet kompanive transportuese me origjinë nga Shqipëria në metodologjinë e taksimit të tyre, pa harruar shërbimet që janë jashtë çdo standardi evropian.

“Është fakt i pamohueshëm që kamionët me targa maqedonase dhe serbe nuk paguajnë as edhe një taksë në portin e Durrësit, dhe kjo sipas AK-së, ka bërë që shumë kompani ndërkombëtare të kontraktojnë kompani nga këto vende për transport me destinacion Shqipërinë.

(kz/Gre,M/Shqiptarja.com)