Akademia e Shkencave përgënjeshtron Fugën: Deklarata të pavërteta, nëse s’do ishte ndryshuar ligji s’do kandidoje dot

Akademia e Shkencave përgënjeshtron Fugën: Deklarata të pavërteta, nëse s’do ishte ndryshuar ligji s’do kandidoje dot

Akademia e Shkencave

TIRANË- Kryesia e Akademisë së Shkencave ka përgënjeshtruar tri pohimet e akademikut Artan Fugës. Në një reagim zyrtar, Kryesia e Akademisë së Shkencave, thotë se nëse pretendimi i Fugës do ishte i vërtetë, ky i fundit nuk do mund të shpallte kandidaturën e tij. Kjo “përplasje” në distancë vjen pasi akademiku Fuga teksa shpalli kandidaturën e tij për Akademinë e Shkencave u shpreh se në këtë institucion ka një ligj i cili i bën drejtuesit e “përjetshëm” mandatin e tyre.  

Ishte ky pretendim i Fugës që nxiti reagimin e Akademisë së Shkencave ku thuhet se ligji është produkt i vetë Asamblesë e votuar me bindje të plotë. Për më tepër, në njoftim sqarohet se nëse nuk do të ishte ndryshuar ky ligj, sot Fuga jo vetëm s’do të kandidonte dot, por as do të kishte të drejtën e votës, pasi tashmë ka plotësuar kriterin e moshës (mbi 68 vjeç). Kësaj deklarate, Fuga i është përgjigjur sërish, duke u shprehur se nuk e ndalon dot askush të kundërshtojë këtë ligj, sipas tij të iniciuar nga jo një por dy deputetë.

Njoftimi i plotë i Kryesisë së Akademisë së Shkencave:

“Kryesia e Akademisë së Shkencave përgënjeshtron pohimet e pavërteta

të z. Artan Fuga, anëtar i Asamblesë së saj

Në respektim të etikës akademike dhe të opinionit publik, ndihemi të detyruar të distancohemi e të përgënjeshtrojmë gjithçka thuhet nga një anëtar i Asamblesë në adresë të saj e veçanërisht të deputetëve të nderuar, vetëm për faktin se ata kanë mbështetur e mbështesin reformimin e Akademisë nëpërmjet ligjit të ri dhe jo përmes deklarimeve me sharje, fyerje, denigrime e të pavërteta.

Ligji i ri është produkt i vetë Asamblesë së Akademisë së Shkencave (vetëm me një votë kundër), i hartuar nëpërmjet një procesi publik mbi njëvjeçar, në bashkëpunim me institucione prestigjioze si ALLEA (All European Academies) e Akademia “Leopoldina” e Gjermanisë dhe e miratuar nga Kuvendi në sajë të kontributit të deputetëve, shumicës së tyre, të cilët e votuan me bindjen e plotë se ky ligj do të ishte baza e ndryshimit të shumëpritur, dhe arritjet e gjithanshme, në këto 3 vjet, të vlerësuara nga tërë institucionet bashkëpunuese me Akademinë e Shkencave, e dëshmojnë këtë pritshmëri.

Me këtë qëndrim Kuvendi ndali platformën e propozuar në rrugë private, nëpërmjet lobimeve jashtë-institucionale nga anëtari në fjalë, e cila, të vetmen “risi” kishte privimin nga e drejta e votës e akademikëve mbi 68 vjeç. Gjithkush e kupton se një propozim i tillë është dhunë e vërtetë dhe cenim i drejtpërdrejtë i autonomisë së ASHSH. Efektet e një mase të tillë për interesa të qarta politike u provuan më 2007, e këtë model të z. Fuga Perëndimi e ka dënuar si të paprecedent, me akte të veçanta të ALLEA-s, dhe Gjykata Kushtetuese e ka cilësuar si antikushtetues.

Në rast se deputetët do t’i bindeshin lobimit për platformën, sot z. Fuga jo vetëm s’do të kandidonte dot, por as do të kishte të drejtën e votës, pasi tashmë ka plotësuar kriterin e moshës (mbi 68 vjeç), të vënë nga ai për të tjerët 4 vjet më parë.

Ligji i ri e Statuti i dalë në zbatim të tij garanton kandidimin e lirë të çdo anëtari të Asamblesë dhe  zgjedhjen e akademikëve të rinj e të organeve drejtuese prej vetë Asamblesë e jo prej komisioneve qeveritare, siç do të impononte “modeli” i platformës. Për zgjedhjet në Akademinë e Shkencave nuk ka pasur në asnjë rast ankesë për shkelje procedure, deformim vote a moslejim kandidimi, përveç virtualisht nga anëtari i vetëm që s’merr pjesë në votim.

Sa u përket mandateve të anëtarëve të Kryesisë, si ligji i ri, dhe ai i mëparshëm e amendamentet që po shqyrtohen, kanë pasur e kanë të drejtën dhe kufizimin për dy mandate e jo më shumë për të njëjtin funksion.”- thuhet në reagimin e Akademisë së Shkencave.

Skënder Gjinushi u zgjodh kryetar i Akademisë së Shkencave në maj të vitit 2019. Artan Fuga e kundërshtoi që atëherë procesin për zgjedhjen e tij.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:27
Artan Fuga i përgjigjet Akademisë së Shkencave: Është e drejta ime ta kundërshtoj ligjin, s’e heq dot as Zoti jo më kryesia

1677233294_1559303629fugagjinushi780x405.jpg

Pas përgjigjes së Akademisë së Shkencave, akademiku Fuga ka reaguar sërish. Ai shprehet se nëse faktet Kryesia e Akademisë të Shkencave i quan të dhëna të rreme, në fakt janë e drejta e tij t’i kundërshtojë. Fuga thotë se nuk është një, por dy deputetë të cilët po iniciojnë ndryshimin ligjor për rizgjedhjen e kryetarit disa herë, pra për t’i dhënë një mandat të dytë. Për këtë qëndrim, Fuga thotë se posedon fakte dhe do i botojë.

Reagimi i plotë:

Kryesia e Akademisë të Shkencave paska reaguar sot me një deklaratë publike shumë konfuze për një teskt akademikësh ku pak a shumë shprehet se unë, pra Artan Fuga paskam thënë të pavërteta kur jam shprehur se ka përpjekje deputetësh, dy më saktë, që po iniciojnë një ndryshim ligjor që krijojnë kushte që kryetari etj. të rizgjidhen përsëri në vijimësi për një mandat të dytë duke ndryshuar ligjin në fuqi.

Unë do të botoj deklarata publike të deputetit që ka qenë i angazhuar në këtë pikë. Pa merak.

Nesër do të keni edhe shkresat zyrtare që më vërtetojnë mua matematikisht, pra si një edhe një që bëjnë dy, jo tre!

Nëse faktet Kryesia e Akademisë të Shkencave i quan të dhëna të rreme, fyerje, etj., unë nuk di si mund të shërbej për ta korrektuar këtë epistemologji.

Me vjen keq që Kryesia e Akademisë humbet kohën kot sepse asnjë ofendim nuk kam bërë për asnjë deputet në deklaratën publike që shpreh projektin tim të mundësisë për të kandiduar.

Dhe sa më shumë nga të tilla reagime lincuese, me të cilat jam mësuar, aq më shumë rritet vendosmëria për të kandiduar! I falenderoj që nuk ma heqin këtë të drejtë.

Pse shqetësohen? Sigurisht që kundërshtimi im si qytetar dhe akademik kundër këtij ndryshimi ligjor është e drejta ime që nuk e heq dot as Zoti jo më kryesia e Akademisë së Shkencave, megjithë konsideratat e mia të larta për të!

Por si fillim pyes : a gënjen Artan Fuga apo media dhe shkresat për faktin e relatuar?

Publiku mund ta shohë! Lutem të ruhet edukata dhe etika e ligjërimit!

Faleminderit!

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë