Sipas tij, Akademia e Shkencave, në përputhje me ligjin që rregullon veprimtarinë, përgjegjësitë, funksionet dhe misionin e saj; ka vendosur themelimin e çmimeve të mëdha të vlerësimit të kontributeve shkencore origjinale në shkencat shqiptare dhe për zhvillimin në Shqipëri.
Korkuti deklaroi se “Duke filluar nga viti 2016, në funksion të nderimit të punës shkencore kudo që ajo zhvillohet, Akademia e Shkencave do të japë këto çmime shkencore kombëtare:
1. Çmimin Eqrem Çabej, për veprat më cilësore origjinale monografike në shkencat shoqërore dhe albanologjike;
2. Çmimin Petrit Radovicka, për veprat, projektet apo patentat e regjistruara më të rëndësishme në shkencat natyrore dhe teknike;
3. Çmimin e karrierës akademike, për merita jetësore në të dyja fushat e përmendura, që do të jepet duke iu referuar vlerësimit retrospektiv të rezultateve në kërkimin akademik-universitar, me rëndësi për shkencën shqiptare dhe jetën e vendit;
4. Çmimin për studiuesin e ri më të suksesshëm, që do të përzgjidhet prej brezit më të ri të kërkuesve qysh në fillimet e punës së tyre shkencore.
Gjithashtu, Korkuti u shpreh se me themelimin e këtyre çmimeve Akademia e Shkencave ka për qëllim të identifikojë e vlerësojë për çdo vit arritjet më cilësore dhe më me ndikim në zhvillimin shoqëror të vendit.
“Të certifikojë origjinalitetin e punës shkencore dhe të inkurajojë forcimin e konkurrencës; të zgjerojë rrethin e bashkëpunëtorëve të saj në institucione kërkimore-shkencore dhe nga radhët e kërkuesve të pavarur; të forcojë ndërveprimin midis brezave dhe të rrisë shkëmbimin e përvojave mes tyre, sikurse u rekomandua me të drejtë dhe në mbledhjen e Asamblesë së ALLEA-s (All European Academies, maj 2016)”, u shpreh Korkuti.
Ndër të tjera akademiku Muzafer Korkuti tha se këto çmime do të jenë të përvitshme. Ky është viti i parë i dhënies së tyre çmimeve dhe Kryesia ka vendosur që për këtë rend të përzgjedhë e të vlerësojë vepra monografike, projekte dhe arritje në kërkimin shkencor teknik dhe patenta të regjistruara për gjithë periudhën 2012-2016 (duke e përfshirë dhe vitin 2016).
Muzafer Korkuti u bën ftesë studiuesve shqiptarë nga Republika e Shqipërisë dhe gjithë hapësira historike shqiptare, si dhe nga diaspora, të shpallin interesin e tyre për të marrë pjesë në konkurset për çmimet vjetore akademike kombëtare për vitin 2016.
Redaksia Online
(M.Ç/shqiptarja.com)