“Mësuesit sot duhet të studiojnë në çdo moment në të kundërt ata nuk mund të ofrojnë asnjë dije për nxënësit e tyre”. Ky është mesazhi që jep Prof. Dr. Musa Kraja rektor i “Akademisë Pedagogjike të Tiranës”. Sipas tij, sot të gjithë mësuesit duhet t’i nënshtrohen dijeve të tyre, ndërkohë që shkolla duhet të depolitizohet. E rëndësishme për rektorin Kraja është edhe ngarkesa e teksteve mësimore, të cilët kanë nevojë për thjeshtëzim në mënyrë që ora e mësimit të jetë më e bukur për nxënësit.

Profesor Kraja ju drejtoni “Akademie Pedagogjike të Tiranës” një universitet i cili është risi për vendin tonë, cili është misioni i tij?
Akademia Pedagogjike e Tiranës është një institucion universitar, një rast unikal në hapësirën shqiptare. Ky institucion ka për objekt përgatitjen e mësuesve duke filluar nga parashkollori, mësues të pedagogji-historisë dhe tashmë kemi në proces për ekonomistë kulturo-shkencë dhe infermierë për shkollë. Po kështu edhe mësues të gjuhës angleze, por edhe degën e anglishtes dhe informatikës njëkohësisht, për vetë kërkesat e tregut të punës. Po kështu edhe nivelin bachelor dhe shkencor, studime të thelluara në mjeshtërinë e mësimdhënies, dhe studime të thelluara në pedagogji, si dhe pedagogji speciale. Kjo e fundit është fusha që merret me nxënësit të cilët kanë nevoja të veçanta, ku futen probleme të edukimit, jo ato patologjike, por ato në harmoni me psikologjinë gjenetike etj. Këtu zhvillohen disa lëndë për herë të parë në hapësirën shqiptare, siç është vetëvlerësimi shkollor, shkenca për mësuesin, pedagogji ndërkombëtare dhe ndryshimet mbi arsim. Këto lëndë bëhen për të afruar mësuesit me programet e reja të arsimit, pasi vendi ynë aderon për integrimin në BE. Në kemi mbështetur kurrikulat tona në Kartën e Bolonjës, jo duke e kopjuar atë, por duke u mbështetur tek ai proces sipas specifikave që ka vendi ynë.

Ju keni një përvojë të gjatë, a mund të bëjmë një krahasim mes mësuesve sot dhe atyre të dikurshëm sa i përket përgatitjes së tyre?
Nuk mund të kemi një krahasim të prerë, pasi shkolla vetë është një ndryshim ndër vite i pandërprerë, pasi mësuesi duhet t’i paraprijë zhvillimit. Kemi ndryshime nga dekada në dekadë, dhe këtë mund ta themi pasi sot teknologjia e informacioni ecën me hape shumë të shpejta dhe ne iu adaptuam kësaj situate të re. Kështu nga mësues të gjuhës angleze ne po projektojmë mësues të gjuhës angleze dhe të informatikës njëkohësisht, për vetë specifikat e vendit tonë, pasi nuk është Tirana gjithë Shqipëria, por kemi edhe zona rurale, periferike, urbane por jo të zhvilluara etj. Ndaj ne sot jemi duke bërë pasurimin e kurrikulave me kërkesat e tregut të punës dhe nëse i krahasojmë me të shkuarën mësuesit, pa idealizuar të shkuarën, mund të themi se mësuesit e vjetër kanë traditën dhe janë idealistë, të ndikuar edhe nga tekstografia shkollore. Ndërkohë që ka edhe mësues model të cilët duhet t’i gjejmë edhe sot, jo të imitohen në mënyrë shabllone por të pasurojnë përvojën e tyre. Por sot, evoluimi i praktikave dhe trajnimi i mësuesve është i dukshëm.

Ministria e Arsimit, për punësimin e mësuesve ka hapur konkurset pavarësisht vjetërsisë së tyre në punë, si e vlerësoni ju këtë?
Nuk është mosha që përcakton mësuesin, as vjetërsia madje. Sigurisht që mësuesi fillestar është në hapat e parë, por kur i ka kaluar 3-4 vjet ai e ka treguar veten, ndaj përvoja në punë nuk është kryesore. E them këtë pasi një mësues mund të ketë qenë për një kohë të gjatë mediokër dhe mund të vazhdojë të jetë mediokër. Ndërsa për mësuesit, normale që kjo vjetërsi duhet marrë në konsideratë, por të mësuarit të vazhdueshëm është domosdoshmëri për mësuesit e cila është një normë. Ajo që dua të theksoj është se mësuesit duhet të zhvishen nga çdo paragjykim partiak, krahinor dhe gjinor në mënyrë që ato që trajnojnë mësuesit dhe janë komisione të jenë njerëz principialë dhe të departizuar.

Së fundmi është hapur një debat mbi kurrikulat dhe altertekstin për mbingarkesën e tyre, ju kemi mësues të ndryshëm të cilët studiojnë në universitetin tuaj në nivele të ndryshme, si e shohin ata këtë fenomen?
Tre drejtimet kryesore të arsimit janë mësuesi- nxënësi- teksti, këto janë të pandara. Teksti është i domosdoshëm, tani shtrohet çështja po interneti? E them këtë pasi në tekste pyetjen e parë që u lihet në detyra nxënësve është gjetja e materialeve të ngjashme në internet. Interneti nuk ka kritere shkencore dhe pedagogjike, ai është një det i pafund ku futen adoleshentet dhe nxënësit. Kjo nuk duhet të jetë pyetja e parë, pasi jo të gjithë e kanë mundësinë e lundrimit në internet, si mësuesit ashtu edhe nxënësit. Ndërkohë që sot kemi tekste të mbingarkuara me informacione, kështu është Ekonomia e Zbatuar në gjimnaze e mbushur me pasqyra dhe shifra, shumë herë më e vështirë se matematika. Pse jemi këtu, jemi sepse autorët janë autorë të nderuar si pedagogë të ekonomisë, por aty mungon didakti. Ndaj është e rëndësishme që autorët e teksteve të mos hedhin në letër atë ç’ka kanë në kokë, pasi sjellin në tekst të mbingarkuar që u zbeh dëshirën nxënësve për të studiuar, për lëndën dhe orën e mësimit. Tekstet alternative duhet të funksionojnë, por brenda nuk duhet të jetë korrupsioni, siç funksionoi tek ne. Nuk duhet të ketë orientime, pasi kjo godet kolonën vertebrale të alertekstit. Janë mësuesit ata që e gjykojnë tekstin pasi e njohin atë.

(Shkrimi u publikua në gazetën Shqiptarja.com 12 mars 2014)