Floresha Dado, një nga mikeshat e akademikut Rexhep Qosja, thotë për “Report TV”, se bota akademike ka humbur një kritik, intelektual e studiues guximtar, i cili e shihte dhe e rrëfente të vërtetën në sy.
Teksa e cilëson një figurë të jashtëzakonshme, Dado thotë se ishte një adhuruese për interpretimin tij ndaj letërsisë shqiptare dhe transformimin që i solli asaj.
“Iku një studiues i shquar i letërsisë shqiptare, një historian që ka lënë kontribut të jashtëzakonshëm në studimet letrare, ne historinë e letërisë shqipe. Iku një shkrimtar avangard, i cili i dha letërsisë shqiptare vepra të shquara që shënuan një hop cilësor në zhvillimin e letërsisë, që me ‘Vdekja më vjen prej syve të tillë’. Iku një kritik dhe teoricien i letërsisë, i cili me konceptet e tij shkencore jo shumë të njohura, bëhet fjalë për disa dhjet vjeçarë kur ai u shfaq në mendimin teorik, kritik letrar, luajtën një rol të jashtëzakonshëm në emancipimin e mendimit kritik shqiptar.
Iku një intelektual i jashtëzakonshëm, me integritet moral të rrallë, të admirueshëm, sidomos për kohrat që jetojmë. Mund ta vlerësojmë Rexhep Qosen si shkrimtar, si studiues, si intelektual, si njeri me integritet, si njeri të guximshëm, që thoshte të vërtetën në sy, e shikonte të vërtetën në sy dhe guxonte që t'i thoshte së keqes, ja ku je dhe mos qëndro aty. Për mua, Rexhep Qosja ka qenë një figurë e jashtëzakonshme.
Kam adhuruar pasionin e tij, kulturën e tij të jashtëzakonshme, intuitën e tij të jashtëzakonshme për njohjen e letërsisë, për interpretimin e letërsisë, për guximin që kishte në ato në transformimet që i solli letërsisë shqiptare. Rrallë bashkohen tek një njeri vlerat si studiues, si shkrimtar dhe si intelektual. Studimet shqiptare mendoj që kanë humbur një personalitet të madh", thotë Floresha Dado.
Amanetin e tij për t’u varrosur larg syve të publikut, studiuesja e sheh si një revoltë ndaj problematikave të realitetit shqiptar.
"Mua personalisht më bëri përshtypje dhe mënyra se si ai e kishte kërkuar ceremoninë e varrosjes e largimit të tij ashtu në heshtje. Unë e kam e gjykoj këtë si një revoltë. Rexhep Qosja ruante brenda vetes një revoltë të jashtëzakonshme për shumë problematika që kishte realiteti shqiptar dhe ë me ate mençurinë e tij ai nuk foli, por me mosfoljen e tij dhe me modestinë e tij, ai dha nje shembull të jashtëzakonshëm për ata që dinë ta kuptojnë dhe dinë ta vlerësojnë. Personalisht e kam vlerësuar shumë.
Ka qenë një ndër miqtë e mi më të mirë dhe e mendoja që kur e vlerëson një njeri dhe kur e do një njeri të duket sikur ai do jetë gjithmonë. Kështu që ka qenë një befasi shumë e trishtë për mua, por sigurisht edhe për për gjithë kolegët, për gjithë ata që e kanë njohur dhe e kanë vlerësuar”, shprehet ajo.
Akademiku, shkrimtari dhe kritiku letrar shqiptar, Rexhep Qosja ndërroi jetë një ditë më parë, dy muaj para se të mbushte 90 vjeç. Nipi i tij shkroi në rrjetet sociale, se Qosja u varros në të njëjtën ditë që vdiq, në një ceremoni private familjare, ashtu siç e kishte lënë amanet.
Komente










