FIER - Rreth 4 mijë e 500 ton është sasia e naftës bruto dhe e produkteve të tjera të hidrokarbureve të bllokuara sot nga drejtoria kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit, nën dyshimin se tregtohen dhe magazinohen në kundërshtim me ligjin “për Akcizat në Republikën e Shqipërisë”.

Sasia e naftës është bllokuar në subjektet tregtare “LADI 2008”, “A&A OIL 10 sh.a”, dhe “2K PLAKA”, në kuadër të një plan të përbashkët ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, me qëllim kontrollin e ligjshmërisë së mallrave të akcizës, si dhe kontrollin e rregullshmërisë së faturave tatimore.

Përmes një deklarate për shtyp, Policia e Shteti bën të ditur se lidhur me këtë sasi të bllokuar do të kryhen verifikimet e nevojshme për sa i përket cilësisë së produkteve, origjinës së tyre, si dhe rregullshmërisë së faturave tatimore, ndërsa theksohet se këto kontrolle do të vazhdojnë dhe në subjekte të tjera gjatë ditëve në vijim.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)