Taksat mbi naftën sjellin qindra milionë euro çdo vit në arkën e shtetit, duke u kthyer ndër burimet kryesore të të ardhurave. Shifrat e siguruara nga Report Tv tregojnë se vetëm gjatë vitit të kaluar nga akciza e taksa e qarkullimit janë mbledhur në total 700 milionë euro. Akciza që ka ndikimin më të madh në çmimin që paguajmë për çdo litër naftë, i ka sjellë buxhetit të shtetit 2.6 miliardë euro në 6 vite.

***

Taksat kanë një peshë të rëndësishme në strukturën e çmimit të naftës. Prej një muaji, ekspertë, politikanë, shoqata e fermerë i kërkojnë qeverisë të ulë taksat, që të mbrojnë qytetarët nga çmimet e larta të karburanteve, të cilat kërcyen lart, menjëherë pas shpërthimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Ndërhyrja që nuk ndodhi në vitin 2022, kur nisi lufta në Ukrainë, u realizua këtë vit. Akciza ulet me 20%, kur çmimi i naftës kalon 220 lekë litri dhe kur benzina shtrenjtohet mbi 200 lekë për litër.

Por pse shteti qëndron dorështrënguar tek taksat?

“Na hiqni akcizën derisa të mbarojë lufta”, kërkuan fermerë e blegtorë në protestën e 7 prillit para Ministrisë së Bujqësisë. Në fakt, akciza mund të quhet “taksa e artë” për buxhetin e shtetit pasi është një nga furnizueset kryesore të arkës.

Në çdo litër naftë apo benzinë, akciza është 39.2 lekë. Shifrat zyrtare të siguruara nga Report TV pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave tregojnë se prej vitit 2020, nga akciza e karburanteve janë arkëtuar 252.1 miliardë lekë ose afro 2.6 miliardë euro.

Ndërsa vetëm vjet prej akcizës së karburanteve u mblodhën 43.6 miliardë ose 454 milionë euro.

1775741690_tabelanafta2.jpg

Sipas të dhënave, vetëm nga akciza e naftës (që është produkti edhe më i përdorur sesa benzina, gazi) prej 2020-ës janë mbledhur 100.5 miliardë lekë ose më shumë se 1 miliardë euro, ndërsa rekordi u regjistrua vjet prej 219 milionë euro.

Të ardhurat nga akciza rriten edhe për shkak të importeve të shtuara të karburanteve. Vetëm gjatë vitit të kaluar vendi ka importuar 740 mijë tonë karburant me vlerë 667 milionë euro.

1775741706_tabelanafta3.jpg

Pas akcizës, simotra e saj në vlerë për çmimin e karburantit është taksa e qarkullimit, e dyta për ndikimin më të madh në shtrenjtim. Në vlerë fikse është 27 lekë në litër.

Buxheti i shtetit ka arkëtuar 119.9 miliardë lekë ose 1.2 miliardë euro prej vitit 2020, vetëm nga taksa e qarkullimit që paguhet nga çdo drejtues makine sa herë që ble karburant.

1775741669_tabelanafta1.jpg

Gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të drejtorisë së Tatimeve janë mbledhur nga kjo taksë 24.1 miliardë lekë (251 mln euro) ose rreth 13.42% më shumë se në 2024-ën. Kjo taksë ‘nuk preket’ është shprehur qeveria pasi, nëse do të hiqet nga nafta do të shkohet tek taksat e makinës, dhe do u kushtojë më shumë qytetarëve.

Veç këtyre, është edhe 3 lekë për litër taksa e karbonit, nga e cila vjet u mblodhën 2.9 miliardë lekë ose 31 milionë euro.

Dhe në fund, mbi çdo litër shtohet edhe TVSH-ja 20%, që sa më e shtrenjtë të jetë nafta/benzina, aq më shumë paguhet edhe Tatim mbi Vlerën e Shtuar. Në çmimin e naftës  220 lekë që Bordi i Transparencës caktoi më 8 prill, TVSH është 44 lekë për litër.

Aktualisht vendi ka hyrë në regjimin e Bordit të Transparencës, i cili cakton çmimet për tregtimin e naftës dhe benzinës me shumicë dhe pakicë, për shkak të shtrenjtimit të lartë të tyre.