Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës reagon në lidhje me projekt- vendimin e fshehtë të AKEP për përjashtimin vetëm të Albetelecom nga detyrimi për të mbajtur tarifat on- net të njëjta me ato off-net. Vendim ky që cënon konkurrencën e lirë në treg, rregullat ligjore e financiare ndaj dy operatorëve të tjerë në tregun shqiptar.

Në reagim thuhet qartë se kompetencat e AKEP janë të përcaktuara në ligjin për komunikimet elektronike, i cili garanton që çdo procedurë dhe vendim rregullator i AKEP-it, sikurse dhe çështja në fjalë duhet të kalojë përmes procedurës së konsultimit. Theksojmë se pikërisht kjo procedurë është një nga pikat e shkelura në flagrancë nga AKEP, që e ka përpiluar këtë vendim pa asnjë konsulencë paraprake dhe në mungesë të çdo transparencë me operatorët.

Një ditë më parë një investigim i Report TV tregoi se si AKEP-i, enti rregullator i tregut, vendos të ndërhyjë me një vendim të fshehtë, që synon të privilegjojë operatorin e tretë, më të vogël, me pronësi turke. Pa u konsultuar me palët dhe në një mungesë totale të transparencës, kryetari i ri i AKEP-it, Ilir Zela, ka përgatitur një projekt-vendim që do ta çojë të enjten për votim në Këshill, i cili në fakt ndërhyn për të rritur tarifat e interkonjeksionit që Vodafone dhe Telekom duhet t’i paguajnë operatorit të tretë Albtelecom, duke i njohur këtij të fundit të drejtën të aplikojë tarifa diskriminuese, ndërkohë që Vodafone dhe Telekom duhet të vijojnë të aplikojnë tarifa “jodiskriminuese ndaj njeri-tjetrit”. Report TV tentoi të kontaktojë për koment të katër anëtarët e Bordit të AKEP por askushi prej tyre nuk iu përgjigj telefonatave tona.

Më poshtë reagimi i plotë i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës ku thuhet:
Referuar interesimit mbi raportimet e ditëve të fundit në media mbi rregullimin e tarifave të interkonjeksionit në tregun celular, sqarojmë se AKEP është një institucion rregullator i pavarur për tregun e komunikimeve elektronike që raporton në Kuvend për aktivitetin e tij.

Detyrat dhe kompetencat e AKEP janë të përcaktuara në ligjin për komunikimet elektronike. Ky ligj garanton që çdo procedurë dhe vendim rregullator i AKEP-it, sikurse dhe çështja në fjalë kalon përmes procedurës së konsultimit.

Si ministri përgjegjëse për sektorin e telekomunikacioneve, ne do të ndjekim me kujdes situatën që çdo rregullim i këtij tregu të jetë në përputhje me politikat e zhvillimit, në mbështetje të interesit publik dhe nxitjes së investimeve përmes zhvillimit të konkurrencës së ndershme.

d.b/shqiptarja.com