Vendim ky që po ndez një debat të madh, pasi, në tekstin e një projekt-vendimi i cili qarkulloi nëpër media, i siguruar ekskluzivisht nga Shqiptarja.com dhe Report Tv, u zbulua se tarifat e reja do të favorizojnë në mënyrë të hapur një operator (Albtelecomin) dhe pjesërisht një operator të dytë (Telekom), në dëm të operatorit të tretë (Vodafone), edhe pse është më i madhi. Polemika nuk ka të bëjë aspak me tre operatorët e përfshirë, as me cilësinë e shërbimit të tyre, por me procedurën e çuditshme dhe mungesën e transparencës nga ana e AKEP-it.
Vërejtja e parë është ajo, që vendime të këtij lloji (edhe sipas procedurave të ndjekura nga AKEP në të kaluarën) paraprihen nga një fazë konsultimi publik, i cili në këtë rast nuk u bë. Të ndryshosh tarifat e terminimit, në fakt, automatikisht sjell edhe një ndryshim tarifash në kurriz të konsumatorëve dhe për këtë arsye, para se të vendoset, diskutohet në mënyrë publike. Po pse AKEP-i, qëkurse ndryshoi kreun e tij, ka vendosur ta shkelë këtë procedurë ligjiore?
Në rastin konkret, shkelja është edhe më e rëndë. Më 16 shkurt 2017, në fakt, AKEP-i hapi një konsultim publik dymujor mbi tarifat e telefonisë së lëvizshme, por në atë dokument përjashtohej mundësia që të modifikoheshin tarifat: në të kundërt, në të pohohej që tarifat e terminimit në fuqi, të njejta për të gjithë operatorët, funksiononin mirë dhe se ato tarifa ishin në përputhje me ato që aplikohen në vendet e Bashkimit Evropian. Në dokument thuhej: “AKEP propozon që operatorët celularë të vijojnë zbatimin e masave rregulluese të përcaktuara nga analiza e mëparshme, përfshirë detyrimin e mos-diskriminimit në tarifat e thirrjeve brenda dhe jashtë rrjetit (tarifa simetrike – shënim i redaksisë). Ky detyrim i fundit ka pasur efekt të dukshëm në treg duke rritur edhe aftësinë konkurruese të operatorëve më të vegjël celularë në tregun me pakicë për shkak të eliminimit të efekteve ‘club’ të krijuara nga diferencat e mëdha në tarifat e thirrjeve brenda apo jashtë rrjetit”.
Me ardhjen e drejtorit të ri në AKEP, Ilir Zela (ish-drejtor tek Albtelecomi), ndryshoi edhe politika e Autoritetit dhe, duke mohuar dokumentin e vitit 2016, për të cilin ishte zhvilluar konsultimi publik, dhe duke shkelur edhe një vendim të mëparshëm të AKEP-it (atë me numër 2676, datë 14.04.2016 që caktonte tarifa terminimi të njejta për të gjithë), u vendos të ndryshoheshin tarifat, duke eliminuar barazinë mes gjithë operatorëve (të ashtuquajturën simetri) dhe duke rifutur pabarazinë (të ashtuquajturën asimetri të tarifave). Por ky ndryshim nuk i është nënshtruar asnjëherë një konsultimi të ri publik, sikurse e kërkon procedura.
Të habit fakti që, i kontaktuar dy ditë më parë nga Report TV, kreu i AKEP Ilir Zela ka refuzuar të komentojë projekt-vendimin, duke pretenduar se ''nuk është një çështje me interes publik'', duke shkelur kështu edhe një herë një detyrim ligjor. Çfarë kërkon të fshehë AKEP-i?
Vërejtja e dytë, po aq e rëndë, është se tarifat e reja, që AKEP-i propozon të adoptohen, shkelin porositë e Komisionit Evropian, i cili prej vitesh po përpiqet ta rregullojë këtë sektor në një drejtim krejtësisht të kundërt. Praktikisht, AKEP-i duke i rritur në masa të ndryshme tarifat e terminimit në favor të dy operatorëve dhe duke ulur ato që përfiton i treti, po zbaton kriterin e “tarifave asimetrike”, domethënë tarifave të ndryshme për të gjithë.
Por, sipas Komisionit Evropian, tarifat asimetrike duhet të aplikohen vetëm në favor të kompanive të reja të telefonisë së lëvizshme dhe gjithnjë për një periudhë të shkurtër, jo më të gjatë se katër vjet, për t’u dhënë kohë pikërisht kompanive të reja (që janë edhe më të voglat) të integrohen në tregun e telefonisë dhe të konsolidojnë pozitat e tyre në treg.
Por Albtelecomi është në treg me Eagle Mobile që prej 10 vitesh (u krijua më 2003 dhe filloi të funksiononte më 2008) dhe kështu që nuk mund të konsiderohet si një kompani e re dhe katër vitet e para të aktivitetit të tij kanë përfunduar shumë kohë më parë. Po kështu edhe Telekomi, i cili do të përfitojë një tarifë terminimi pak më të lartë se ajo e Vodafonit, por më të ulët se ajo e Albtelecomit, ka hyrë në treg madje para Vodafonit.
Albtelecomi ka përfituar tashmë nga tarifat asimetrike deri në prill 2014, sëbashku me operatorin Plus, të konsideruar të dy si të vegjël dhe kështu që e meritonin kujdesin, të cilin Komisioni Evropian kërkon që t’u rezervohet shoqërive të vogla të porsalindura si dhe gjatë viteve të para të aktivitetit. Por, nga maji 2014, AKEP-i ia kishte hequr këtë privilegj Albtelecomit, të cilin ia hoqi nga janari 2016 edhe Plus-it, duke respektuar kështu direktivën evropiane, sipas së cilës, pas fazës fillestare, të gjitha kompanitë e telefonisë së lëvizshme duhet të paguajnë të njejtat tarifa të terminimit.
Arsya është e thjeshtë: nga njera anë, Bashkimi Evropian mendon se, t’i ndryshosh këto tarifa në favor të një ose disa operatorëve për një periudhë të gjatë, do të thotë të japësh indirekt një ndihmë nga ana e shtetit, parim ky krejtësisht i ndaluar në një ekonomi tregu, ku duhet të mbizotërojë ligji i konkurrencës së lirë. Nga ana tjetër, të rritësh tarifat e terminimit në favor të një kompanie, shpesh kjo shtyn abonentët e saj për të ndryshuar numër dhe për t’u bërë klientë te një kompani më e fuqishme, pasi thirrjet mes miqsh që kanë numër të së njejtës kompani (thirrje on-net) kanë një kosto më të ulët se thirrjet mes miqsh që përdorin operatorë të ndryshëm (thirrje off-net). Prandaj, edhe pse e favorizuar në dukje, Albtelecomi për shembull (dhe në një masë më të vogël edhe Telekomi) rrezikon të penalizohet nga ky vendim i AKEP-it.
Ja pse Komisioni Evropian u ka kërkuar të gjithë vendeve anëtare të pakësojnë përdorimin e tarifave asimetrike dhe të aplikojnë formulën e tarifave të terminimit të njejta për të gjithë. Një objektiv, që Shqipëria e kishte arritur, më në fund, me vendimin e 14 prillit 2016 (numër 2676), i cili pikërisht caktonte tarifa të terminimit të njejta për të gjithë operatorët: në fakt, që nga viti 2016, tre operatorët Vodafone, Telekom dhe Albtelecom paguan të njejtën tarifë prej 1.48 lekësh për minutë (ndërkohë, Plus-i falimentoi).
Por në mënyrë të papritur, tani kryetari i ri i AKEP-it, duke shkelur sugjerimet e Delegacionit Evropian dhe vetë vendimet e marra nga AKEP-i, po përpiqet të ndryshojë sërish tarifat e terminimit, duke i kthyer edhe një here në asimetrike: Vodafone zbret kështu në 1.22 lekë për minutë, Telekom mbetet në 1.48 lekë dhe Albtelecomi rritet në 2.66 lekë. Sot të tre operatorët që operojnë në Shqipëri paguajnë të njejtën tarifë, por sikur të kalojë vendimi i AKEP-it, nga 1 marsi Vodafone, Telekom dhe Albtelecom do të fillojnë të paguajnë përsëri tri tarifa të ndryshme.
Sistemin e tarifave asimetrike, të kritikuar nga Brukseli, AKEP-i synon ta mbajë në fuqi të paktën deri në vitin 2020, pasi vetëm atëhere është parashikuar që të rikthehen të njejta tarifat e të tre operatorëve. Ndër konsumatorët do të kthehet kaosi, pasi secila kompani do të detyrohet sërish të rishikojë çmimet e saj dhe të bësh thirrje nga një operator tek tjetri do të kushtojë përsëri në mënyrë të ndryshme. Pikërisht ajo çka kërkon të shmangë Bashkimi Evropian.
Është e çuditshme dhe e dyshimtë që, në një fazë kaq delikate, në prag të hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian, AKEP-i vendos të shkelë një direktivë të ardhur nga Brukseli, duke ndryshuar situatën në tregun e telefonisë së lëvizshme, i cili, mes njëmijë problemesh, po fillonte të stabilizohej. Si të thuash që, në vend të projektohej drejt Evropës, AKEP-i, të paktën në fushën e telefonisë së lëvizshme, kërkon ta kthejë 10 vjet mbrapsht Shqipërinë.
Shqiptarja.com