Mehdi Benatia ndodhet shumë pranë kalimit tek Bayern Munich. Mbrojtësi i Romës është shumë pranë transferimit te kampionët e Gjermanisë, madje mediat italiane sigurojnë se shumë shpejt, çdo gjë do të bëhet zyrtare. Aktualisht mungon ende marrëveshja mes dy klubeve por edhe ajo pritet të arrihet, pasi Benatia nuk dëshiron të vazhdojë më karrierën e tij te klubi kryeqytetas.

Drejtori sportiv i Romës Walter Sabatini i ofroi marokenit një kontratë të re disavjeçare nga e cila Benatia do të përfitonte 2,5 milionë euro në sezon. Shifra e propozuar nga Roma nuk e kënaqi aspak 27-vjeçarin, i cili e refuzoi dhe njoftoi klubin se dëshiron të transferohet te Bayern.

Mes futbollistit dhe drejtuesve të klubit bavarez është arritur akordi përsa i përket kontratës dhe pagës, megjithatë drejtuesit Bayern-it tashmë duhet të bindin Romën.

Nënkampionët e Italisë kërkojnë të paktën 30 milionë euro për t’u privuar nga mbrojtësi ndërsa oferta e bavarezëve momentalisht është ndalur në 25 milionë. Vetë fakti që të dyja shoqëritë kërkojnë që ky operacion merkatoje të realizohet me sukses, mund të bëjë që gjithçka të mbyllet shpejt.