Qeveria do të aplikojë shpërblime financiare për individë që kanë dhënë kontribute të veçanta, të quajtur “Vullnetarët e vitit.”

Sipas vendimit të miratuar, kategoritë janë veprimtari vullnetare afatgjatë dhe afatshkurtër.

Vlerësimi kryhet në disa kritere të bazuara me pikë (totali 100 pikë) për ndikimin dhe kontributin në komunitet; përkushtimi, qëndrueshmëria dhe vazhdimësia e angazhimit; integriteti dhe respektimi i parimeve etike.

Në bazë të kategorive, shpërblimi është 100 000 dhe 50 000 lekë, përkatësisht. Një individ nuk mund të shpallet fitues i çmimit për dy vite radhazi brenda të njëjtës kategori.

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E PROCEDURAVE DHE TË KRITEREVE PËR NDARJEN E ÇMIMEVE KOMBЁTARE, KATEGORITË E ÇMIMEVE DHE MASËN E SHPËRBLIMIT FINANCIAR PËR VULLNETARËT E VITIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 40, të ligjit nr.94/2025, “Për vullnetarizmin”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Ky vendim përcakton procedurat dhe kriteret për ndarjen e çmimeve, kategoritë e çmimeve dhe masën e shpërblimit financiar për vullnetarët e vitit në Republikën e Shqipërisë.

2. “Vullnetarët e vitit” janë individët që kanë dhënë kontribut të veçantë në veprimtarinë vullnetare gjatë vitit kalendarik, të përzgjedhur në përputhje me këtë vendim.

II. KATEGORITË E ÇMIMEVE DHE KRITERET E PËRZGJEDHJES

1. Çmimet për vullnetarët e vitit ndahen çdo vit në këto kategori:

a) Çmimi i vullnetarit për kontribut të shquar në veprimtari vullnetare afatgjatë;

b) Çmimi i vullnetarit për kontribut të shquar në veprimtari vullnetare afatshkurtër.

 Për çdo kategori shpallet 1 (një) fitues.

2. Përzgjedhja e fituesve bazohet në këto kritere:

a) Ndikimi dhe kontributi në komunitet (40 pikë), ku vlerësohen:

• ndikimi i veprimtarisë vullnetare në përmirësimin e mirëqenies së komunitetit dhe adresimin e nevojave sociale;

• ndikimi i veprimtarisë vullnetare në nxitjen e pjesëmarrjes aktive të të rinjve, zhvillimin e aftësive të tyre dhe forcimin e përfshirjes sociale;

• kontributi në promovimin e kulturës së vullnetarizmit dhe angazhimit qytetar në komunitet;

b) Përkushtimi, qëndrueshmëria dhe vazhdimësia e angazhimit (30 pikë);

c) Integriteti dhe respektimi i parimeve etike (30 pikë).

III. DOKUMENTACIONI, AFATET DHE PROCEDURAT

1. Ofruesit e vullnetarizmit paraqesin çdo vit pranë institucionit përgjegjës për çështjet e punësimit dhe aftësive listën e kandidatëve të propozuar për ҫdo kategori, të shoqëruar me raportin e aktivitetit që provon aktivitetin dhe arritjet e tyre për vitin paraardhës. Formulari tip për aplikim jepet në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Afati për paraqitjen e nominimeve është deri më 31 mars të çdo viti.

3. Institucioni përgjegjës për çështjet e punësimit dhe aftësive krijon një Komision Vlerësimi, i përbërë nga:

a) Një përfaqësues i ministrisë përgjegjëse për çështjet e punësimit;

b) Dy përfaqësues të institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë.

4. Komisioni shqyrton kandidaturat dhe përzgjedh fituesit në bazë të kritereve të këtij vendimi.

5. Komisioni i paraqet drejtorit të përgjithshëm të institucionit përgjegjës për çështjet e punësimit dhe aftësive raportin përfundimtar të vlerësimit dhe listën e fituesve për miratim.

6. Procesi i vlerësimit përfundon brenda datës 30 prill të çdo viti.

7. Lista e fituesve publikohet në faqen zyrtare të institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë.

IV. MASA E SHPËRBLIMIT

Masa e shpërblimit financiar për secilin fitues të çmimeve të vullnetarëve të vitit është:

a) 100 000 (njëqind mijë) lekë për fituesin e ҫmimit sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të kreut II, të këtij vendimi;

b) 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë për fituesin e ҫmimit sipas shkronjës “b”, të pikës 1,  të kreut II, të këtij vendimi.

V. DISPOZITA TË FUNDIT

1. Financimi i shpërblimeve përballohet nga fondet e miratuara në buxhetin vjetor të institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë.

2. Një individ nuk mund të shpallet fitues i çmimit për dy vite radhazi brenda të njëjtës kategori.

3. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ALBANA KOÇIU