Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), në një reagim zyrtar, ka sqaruar keqkuptimet se shërbimet për bizneset do të ofrohen me pagesë në platformën e-Albania. Agjencia thotë se shërbimet në portal mbeten falas për qytetarët dhe bizneset në përdorimin e zakonshëm, përveç rasteve kur ekzistojnë tarifa të përcaktuara me ligj nga institucionet përkatëse. 

Sipas agjencisë, tarifat e reja prekin vetëm subjektet private që kërkojnë të lidhin sistemet e tyre me regjistrat shtetërorë për shkëmbim të dhënash në kohë reale (me Platformën Qeveritare të Ndërveprimit GG ) dhe nuk ndikojnë përdoruesit e zakonshëm. Ndërkohë, sqarohet gjithashtu se nuk ka ndryshime në tarifat ekzistuese për nënshkrimin dhe vulën elektronike. 

"Tarifat e përcaktuara në vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave lidhen vetëm me subjektet private që dëshirojnë të ndërveprojnë teknikisht me regjistrat elektronikë, bazat e të dhënave shtetërore, pra për ato palë që kërkojnë të integrojnë sistemet e tyre elektronike me Platformën Qeveritare të Ndërveprimit (GG) për shkëmbim të të dhënave në kohë reale. Këto tarifa nuk aplikohen për përdoruesit e zakonshëm të portalit, por vetëm për subjektet që përdorin funksionalitete teknike të avancuara, të dedikuara për ndërveprim ndërmjet sistemeve. Gjithashtu, sqarojmë se tarifat për shërbimin e nënshkrimit elektronik dhe vulës elektronike nuk kanë ndryshuar.", thuhet në reagim.

AKSHI thotë se është shtuar një shërbim i ri vullnetar për qytetarët, që u mundëson të kryejnë veprime ligjore si nënshkrimi i kontratave apo prokurave në mënyrë digjitale, duke shmangur kostot noteriale dhe prezencën fizike. Shërbimet e para që do të ofrohen përmes këtij nënshkrimi janë prokura e posaçme dhe deklarata noteriale për udhëtimin e të miturve jashtë vendit.

"Përmes këtij shërbimi, shumë veprime që më parë kërkonin shërbime noteriale apo prezencë fizike, si nënshkrimi i kontratave, deklaratave apo autorizimeve, tashmë mund të realizohen plotësisht online, me fuqi të barabartë ligjore. Kjo shmang pagesat noteriale, udhëtimet dhe shpenzimet e tjera që lidhen me dokumentet fizike.", shton AKSHI.

Reagimi i plotë i AKSHI:

Në vijim të publikimeve në disa media, dëshirojmë të sqarojmë se lajmi se “bizneset do të paguajnë për çdo transaksion në e-Albania” nuk është i saktë. Shërbimet elektronike të portalit qeveritar e-Albania vijojnë të mbeten falas për qytetarët dhe bizneset në përdorimin e tyre të zakonshëm, përveç rasteve kur ato kanë një tarifë të përcaktuar nga baza ligjore në fuqi e institucionit ofrues të shërbimit.

Tarifat e përcaktuara në vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave lidhen vetëm me subjektet private që dëshirojnë të ndërveprojnë teknikisht me regjistrat elektronikë, bazat e të dhënave shtetërore, pra për ato palë që kërkojnë të integrojnë sistemet e tyre elektronike me Platformën Qeveritare të Ndërveprimit (GG) për shkëmbim të të dhënave në kohë reale.

Këto tarifa nuk aplikohen për përdoruesit e zakonshëm të portalit, por vetëm për subjektet që përdorin funksionalitete teknike të avancuara, të dedikuara për ndërveprim ndërmjet sistemeve. Gjithashtu, sqarojmë se tarifat për shërbimin e nënshkrimit elektronik dhe vulës elektronike nuk kanë ndryshuar.

Megjithatë, është shtuar një shërbim i ri i nënshkrimit elektronik për qytetarët, i cili u mundëson atyre ulje të ndjeshme të kostove financiare. Pajisja me këtë nënshkrim është vullnetare.

Përmes këtij shërbimi, shumë veprime që më parë kërkonin shërbime noteriale apo prezencë fizike, si nënshkrimi i kontratave, deklaratave apo autorizimeve, tashmë mund të realizohen plotësisht online, me fuqi të barabartë ligjore. Kjo shmang pagesat noteriale, udhëtimet dhe shpenzimet e tjera që lidhen me dokumentet fizike.

Së fundmi, dëshirojmë t’ju bëjmë me dije se shërbimet e para që do të ofrohen së shpejti si “shërbime të besuara”, ku qytetarët do të përdorin nënshkrimin elektronik, janë:

• Prokura e posaçme
• Deklarata noteriale, nëpërmjet së cilës njëri nga prindërit autorizon prindin tjetër (ose të dy prindërit një familjar) të shoqërojë të miturin nën 16 vjeç për të udhëtuar jashtë territorit të Shqipërisë.