Një aksident i rëndë rrugor i ka marrë jetën 42-vjeçarit shqiptar Xhevdet Bakushi në rajonin e Campanias, në Itali. Ai ishte duke punuar në një kamionçinë kur u përplas nga një makinë që, sipas mediave italiane, po lëvizte me shpejtësi tej normave.

Goditja ishte aq e fortë, sa mjeti ku ndodhej Bakushi u shkatërrua plotësisht. Shqiptari u hodh disa metra larg nga përplasja dhe humbi jetën në vend.

Në aksident humbi jetën edhe drejtuesi i makinës që u përplas me mjetin e 42-vjeçarit. Ngjarja ndodhi pasditen e së dielës në zonën e Pastoranos, përgjatë rrugës shtetërore Appia.

Xhevdet Bakushi jetonte në Pignataro Maggiore. Ai la pas bashkëshorten dhe dy fëmijë të vegjël. Shkaqet e aksidentit ende nuk janë bërë të ditura dhe po hetohen nga autoritetet italiane.