Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur rreth 30 minuta më parë në plazhin e Porto Novës në Zvërnec të Vlorës.
Burime për Report Tv bëjnë të ditur se viktimë e aksidentit ka mbetur gazetari 40-vjeçari Enrik Mehmeti. Sipas të dhënave paraprake të policisë, ai po lëvizte me një motor me katër rrota, ku dyshohet se, si pasojë e një manovre të gabuar, humbi kontrollin e mjetit.
Motori u rrokullis disa herë. Gjatë aksidentit, një pjesë metalike e mjetit e goditi rëndë në kraharor, duke i shkaktuar dëmtime fatale. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë, 40-vjeçari nuk arriti të mbijetojë.
Ndërkohë Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e plota të aksidentit.
Njoftimi i Policisë:
Vlorë / Informacion paraprak
Rreth orës 21:40, në zonën e Dajlanit, në Vlorë, në bregdet dhe jashtë zonës rrugore, ka ndodhur një ngjarje aksidentale me pasojë humbjen e jetës së shtetasit E. M., rreth 40 vjeç, banues në Vlorë (gazetar).
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se, duke lëvizur me një motomjet me katër rrota, ai ka humbur kontrollin mbi drejtimin e motomjetit, i cili është përmbysur. Si pasojë e përmbysjes, drejtuesi i motomjetit, shtetasi E. M., ka pësuar dëmtime të rënda trupore.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe autoambulanca. I dëmtuari është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal Vlorë, ku, pavarësisht ndihmës së dhënë nga personeli mjekësor, ka ndërruar jetë.
Në motomjet ndodhej si pasagjer shtetasi K. S., rreth 18 vjeç, i cili ka pësuar dëmtime të lehta pa probleme për jetën.
Nga verifikimet paraprake rezulton se ngjarja aksidentale ka ndodhur jashtë zonës rrugore, në një sipërfaqe bregdetare, dhe nuk ka përfshirë mjete të tjera apo përdorues të rrugës.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen të gjitha veprimet procedurale në vendngjarje për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të kësaj ngjarjeje aksidentale.
Komente








