Një 24-vjeçar humbi jetën në një aksident tragjik rreth orës 03.00 të mëngjesit te mbikalimi i Novoselës. I riu me banim në Fier, përfundoi jashtë rrugës me automjetin që u shkatërrua totalisht, si pasojë e shpejtësisë me 200 km/orë.
Report Tv siguroi pamje nga kamera sigurie, teksa makina që drejtonte 24-vjeçari Albi Hoxha del nga rruga në autostradën Vlorë-Fier. Makina është përplasur fillimisht me barrierat mbrojtëse anësore dhe më tej ka dalë rreth 30 metra nga rruga. Shoferi, Albi Hoxha humbi jetën menjëherë dhe trupi i tij u dërgua në morg.
Automjeti thuajse i shkatërruar dëshmon edhe përplasjen e fortë që ka ndodhur me barrierat si pasojë e shpejtësisë tej normave të qarkullimit rrugor.
“Vlorë/Informacion paraprak
Sot, rreth orës 03:00, në vendin e quajtur mbikalimi i Novoselës, në aksin rrugor në drejtim të fshatit Akërni, automjeti me drejtues shtetasin A. H., 24 vjeç, banues në Fier, është përfshirë në një aksident rrugor.
Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i mjetit A. H ka humbur jetën.
Grupi hetimor po kryen veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Aksidenti i rëndë i ndodhur mëngjesin e sotëm, ku humbi jetën 24-vjeçari Albi Hoxha, është kapur nga kamerat e sigurisë së një biznesi pranë vendngjarjes. Nga pamjet dyshohet se automjeti ka qenë duke lëvizur me shpejtësi tepër të lartë, mbi 200 km/h, çka dyshohet të ketë qenë edhe shkaku kryesor i përplasjes fatale. Autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Komente









