Një aksident me pasojë vdekje ka ndodhur pak minuta më parë në aksin rrugor Fier-Seman, në vendin e quajtur Fermë-Çlirim.
Sipas burimeve paraprake një automjet është përplasur me një biçikletë dhe si pasojë e përplasjes së fortë, drejtuesi i biçikletës, Behar Xhemali rreth 65 vjeç, ka humbur jetën, ndërsa automjeti ka përfunduar në kanalin anësor të rrugës.
Drejtuesi 31-vjeçar i automjetit, Arenc Kostandini, është shoqëruar në komisariatin e Policisë. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë tre ambulanca, shërbimet e policisë dhe grupi hetimor për të përcaktuar shkaqet e këtij aksidenti me pasoja fatale.
Njoftimi i Policisë:
Fier/ Informacion paraprak-Rreth orës 17:10, në aksin rrugor "Fier-Seman", shtetasi A. K., 31 vjeç, duke drejtuar automjetin është përfshirë në një aksident rrugor me biçiklistin, shtetasin B. Xh., rreth 65 vjeç.
Si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë në vendngjarje shtetasi B. Xh.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në ambjentet e Komisariatit shtetasin A. K., për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.
Komente










