MALIQ- Një aksident i rëndë është regjistruar pasditen e kësaj të marte në Maliq të Korçës pranë fshatit Drithas.
Një 29-vjeçar ka aksidentuar për vdekje dy këmbësore vëllezër të cilët ishin me biçikletë, njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë. Viktima është identifikuar si Roland Shahinajt 58 vjeç, e ndërsa vëllai i tij ka mbetur i plagosur dhe ndodhet në spital. Pas përplasjes fatale, shoferi 29-vjeçar i identifikuar si Gerald Terolli është larguar nga vendngjarja, mirëpo arratia e tij i ka zgjatur disa orë, pasi më pas është arrestuar nga uniformat blu.
"Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban pranë DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, falë një pune intensive hetimore bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes, identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të drejtuesit të automjetit. Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. T., 29 vjeç, banues në fshatin Drithas, Maliq, për veprat penale "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor" dhe "Largimi nga vendi i aksidentit". Ky shtetas në rrugën dytësore Drithas-Rëmbec, në afërsi të fshatit Drithas, duke drejtuar automjetin tip "Benz", ka aksidentuar me pasojë vdekje shtetasin R. Sh., 58 vjeç, banues në Drithas, i cili po lëvizte me biçikletë në rrugë", njofton policia.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për të mësuar mbi rrethanat e shkaqet e aksidentit.