Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur ditën e sotme në Vaqarr të Tiranës, ku 6 fëmijë dhe një grua kanë mbetur të plagosur.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:05, ku 2 automjete janë përplasur me njëri-tjetrin.

Nga përplasja kanë mbetur të plagosur fëmijët, që ishin pasagjerë në njërin prej automjeteve dhe një grua, e cila ishte drejtuese e automjetit me të cilin po udhëtonin të miturit.

Të plagosurit menjëherë janë dërguar në Spitalin e Traumës, ku po i nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme mjekësore. Burime për Report Tv bëjnë të ditur se fatmirësisht gjendja shëndetësore e fëmijëve dhe gruas është e mirë, jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë grupi hetimor po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë/Informacion paraprak-Rreth orës 19:05, në Vaqarr, automjeti me drejtuese shtetasen Xh. Sh. është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin A. P.

Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar 6 fëmijë të mitur, të moshave 6-10 vjeç, të cilët udhëtonin si pasagjerë në automjetin që drejtohej nga shtetasja Xh. Sh., si dhe vetë drejtuesja e këtij automjeti. Të dëmtuarit po marrin mjekim në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.