VLORË- Ishte ora 6 e mëngjesit e së dielës kur 22-vjeçari Sako Rexha humbi drejtimin e mjetit furgon, me të cilin së bashku me një grup punëtorësh ndërtimi po shkonin drejt vendit të punës. Furgoni doli nga rruga dhe u përplas me bordurën anësore prej betoni, anës aksit rrugor Vlorë–Llogara.
Për pasojë 52-vjeçari Ilir Haka humbi jetën, ndërsa të plagosur mbeten Saimir Haka, 22 vjeç, Qazim Haka, 44 vjeç, drejtuesi Sako Rexha, 22 vjeç, si dhe 1 tjetër, të cilët janë dërguar në spitalin rajonal të Vlorës për ndihmë mjekësore.
Përplasja ka qenë aq e fortë, aq sa mjeti është shkatërruar plotësisht siç shihet edhe në pamjet që sjell Report Tv. U desh ndërhyrja e zjarrfikësve, të cilët prenë pjesë të sediljeve për të nxjerrë të plagosurit, të cilët kishin mbetur të bllokuar brenda mjetit.
Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit, ndërsa dyshimet e para lidhen edhe me tejkalim të normave të shpejtësisë.
52-vjeçarii Ilir Haka bëhet viktima e 29 nga aksidentet vetëm në këto 2 muajt e fundit të verës. Sipas shifrave të siguruara nga Report Tv, në periudhën 1 qershor deri më 26 korrik, nëpër ngjarje rrugore humbën jetën në total 29 persona, 12 prej të cilëve gjatë ditëve të korrikut. Në total, në këtë periudhë raportohet të kenë ndodhur rreth 240 aksidente, me një numër të konsiderueshëm të personave të plagosur. Të dhënat e policisë të përpunuara nga INSTAT për periudhën e 5 muajve të parë të vitit flasin për 547 aksidente në total, te të cilat humbën jetën ose u dëmtuan 766 persona. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, këtë vit u regjistruan 18 ngjarje më shumë, ose thënë ndryshe 529 aksidente në 2025-ën. Por raporti ndryshon tek të dëmtuarit, vdekur dhe plagosur, pasi në 5 muajt e parë të vitit të kaluar kanë qenë 783, në krahasim me 766 në janar-maj 2026.
Rritja e aksidenteve rrugore në vitet e fundit u faturohet disa faktorëve. Ndër më kryesorët mbetet shtimi i numrit të turistëve në vend, sidomos në muajt e pikut të verës, dhe shtimit të automjeteve. Sipas të dhënave, në fund të vitit 2025, numri i mjeteve rrugore të regjistruara, me status aktiv ose të çregjistruara përkohësisht, arriti për herë të parë më shumë se 1 milion, duke shënuar një rritje prej 9,3 %, krahasuar me vitin 2024.
Komente












Po vdesin me shume ketu sesa ne Ukraine or teeeejjjjj
PërgjigjuShofer fugon 22 vjeç që ka në dorë jetën e pasagjerëve....
Përgjigju