Një 19-vjeçar ka humbur jetën dhe dy persona të tjerë janë plagosur në një aksident mbrëmjen e së premtes në Fushë-Krujë, ku u përfshinë 3 automjete.

Aksidenti ndodhi rreth orës 21:15, në vendin e quajtur “Kameras”. Viktima është Laert Zalla, 19 vjeç, i cili ishte pasagjer në njërin prej automjeteve. Ai u transportua drejt Spitalit të Traumës, por mbërriti pa shenja jete.

Të plagosur mbetën Blerim Durmo, 35 vjeç, dhe Enjo Shijaku, 18 vjeç, të cilët po marrin trajtim në Spitalin e Traumës. Gjendja e tyre paraqitet e qëndrueshme dhe kanë dëmtime kryesisht në gjymtyrë.

Në aksident u përfshi edhe një automjet i tretë, i drejtuar nga një 38-vjeçar.

"Rreth orës 21:15, në Fushë-Krujë, në vendin e quajtur “Kameras”, janë përplasur tre automjete, me drejtues shtetasit B. D., 35 vjeç, E. Sh., rreth 19 vjeç, dhe L. S., 38 vjeç.

Si pasojë, shtetasit B. D. dhe E. Sh. janë dëmtuar dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve, ndërsa shtetasi L. Z., rreth 19 vjeç, pasagjer në njërin prej automjeteve, ka ndërruar jetë në spital", njofton Policia.

Paraprakisht dyshohet se lagështira në rrugë dhe shpejtësia e lartë mund të jenë shkaku i aksidentit.

Grupi hetimor po punon për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e plotë të përplasjes.