1 i vdekur dhe 3 të plagosur rëndë është bilanci i dy aksidenteve të ndodhura mesditën e së mërkurës në rrugët e Qarkut të Lezhës. Aksidenti i parë ndodhi rreth orës 15:00 në vendin e quajtur “Ura e Presës”, pranë fshatit Adriatik të Kurbinit, ku një automjet përplasi një person i cili po lëvizte me biçiklete.

Goditja ishte e fortë, duke i shkaktuar dëmtime të shumtë drejtuesit të biçikletës shtetasit Anton Curraku 35-vjeç, i cili gjeti vdekjen gjatë transportit për në Spitalin Rajonal të Lezhës.

Ndërkohë drejtuesi i automjetit qe shkaktoi aksidentin u largua nga vendi bashkë me makinën dhe policia po punon për identifikimin dhe kapjen e tij.

Pak minuta më vonë një tjetër aksident ndodhi në rrugën e Kombit segmenti Milot-Rrëshen, pranë Fushe-Milotit. Në këtë aksident u përfshinë një trailer, dy autovetura dhe tre çilkomotorë, ndërsa raportohet për tre persona të plagosur. 2 prej tyre u dërguan për ndihme mjekësore në Spitalin e Lezhës dhe tjetri në Spitalin e Traumës në Tiranë, nga ku mësohet se ndodhen nën kujdesin e bluzave të bardha jashtë rrezikut për jetën.

Drejtuesit e çiklomotorëve janë shtetas të huaj, ndërsa si pasojë e aksidentit është bllokuar për rreth 60 minuta qarkullimi ne rrugën e Kombit, segmenti Milot-Rrëshen.

Nga pamjet e siguruara duken qartë pasojat e aksidentit, ku traileri ka përfunduar i përmbysur në pjesën anësore të karrexhatës.

Policia e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes nisi hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të këtyre aksidenteve.