FIER - Një aksident me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur në orët e mbrëmjes së sotme në autostradën Levan-Tepelenë. Ngjarja ka ndodhur gjatë orës 20:20 të mbrëmjes së hënë në vendin Selishtë të komunës Frakull. Një person është gjetur i pajetë në mesin e asfaltit nga një drejtues automjeti, ndërkohë që policia ende nuk ka bërë identifikimin e tij.

Sipas burimeve nga policia, rreth 5 metra larg është gjetur edhe një mjet tip motoçikletë, i cili dyshohet të ketë qenë mjeti i udhëtimit të viktimës.

Personi i paidentifikuar është dërguar në spitalin rajonal të Fierit, ndërsa sipas mjekësve, ai kishte gjetur vdekjen si pasojë e përplasjes së marrë. Më tej viktima është dërguar në morgun e spitalit ende i paidentifikuar pasi gjatë kontrollit trupor nuk i është gjetur mjet identifikimi.

Dyshimet e policisë ngrihen mbi faktin që viktima mund të jetë përplasur nga një mjet, i cili pas aksidentit është larguar nga vendi i ngjarjes.

Policia ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit, ndërsa një pistë tjetër është edhe ajo e tejkalimit të normave të shpejtësisë nga vetë personi që humbi jetën mbrëmjen e së hënës.

(Gre.M/Shqiptarja.com)