Një aksident me pasojë plagosjen e katër personave ka ndodhur këtë mbrëmje në aksin rrugor Lushnjë-Rrogozhinë. Burime për Report Tv bëjnë me dije se në aksident janë përfshirë një mjet tip Volkswagen dhe një mjet BMW.
Për pasojë, janë plagosur tre persona në mjetin Volkswagen ku udhëtonin një çift bashkëshortësh me një fëmije dhe një person në mjetin tip BMW. Të plagosurit ndodhen në spitalin e Lushnjës ndërsa gjendja e tyre raportohet jashtë rrezikut për jetën.
Nga informacionet e marra nga grupi hetimor për shkaqet e aksidentit dyshohet që drejtuesi i mjetit Volkswagen po udhëtonte me shpejtësi tej normave të lejuara. Drejtuesi i mjetit në spital do i nënshtrohet edhe testit të alkoolit pasi dyshohet se ka qenë në drejtim të mjetit në gjendje të dehur.