TIRANE - Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mëngjesin e sotëm në autostradën Tiranë-Durrës, ku për pasojë ka humbur jetën 21-vjeçarja Valentina Shtjefni dhe është plagosur drejtuesi i mjetit Kevin Shtjefni.

Aksidenti ndodhi rreth orës 9 e 30 të mëngjesit të sotëm në vendin e quajtur mbikalimi i Yrshekut në drejtimin Durrës-Tiranë, ku dy mjete u përplasën me njëri-tjetrin.

Mësohet se makina e tipit Mercedes Benz 200 me targa Tr- H që drejtohej nga Kevin Shtjefni i ka rënë nga mbrapa një kamioni.

Policia në vendngjarje po punon për të hequr makinën nga rruga sepse është bërë radhë e madhe e automjeteve në autostradë si pasojë e bllokimit të rrugës, ndërkohë që po punon dhe për zbardhjen e aksidentit.

Nga të dhënat e para nuk dihet nëse drejtuesi i mjetit Shtjefni ka qenë me shpejtësi të madhe dhe nuk ka frenuar dot, apo nuk ka mundur të frenojnë fare dhe për pasojë dhe ka goditur nga mbrapa kamionin.

(eç/shqiptarja.com)