Një aksident i frikshëm ka ndodhur mesditën e sotme në Librazhd, aty ku një makinë ka dalë nga rruga dhe ka goditur barrierën anësore të rrugës. Siç duket edhe nga fotot e siguruara nga "Shqiptarja.com", barriera metalike është futur mes përmes makinës.
Për pasojë, 2 personat që udhëtonin në makinë, drejtuesi i mjetit dhe bashkëshortja e tij, kanë mbetur të plagosur. Ata janë transportuar për në spital dhe mësohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i plotë:
Në aksin rrugor Elbasan –Librazhd, në fshatin Labinot Fush, Elbasan mjeti me targa AA 384 JM, me drejtues shtetasin A.P., 31 vjeç, banues në Mallakastër është përplasur me trafikndarësen.
Për pasojë është aksidenduar drejtuesi i mjetit shtetasi A.P., dhe shtetasja A.B., 20 vjeçe, (bashkëshortja), të cilët menjëherë janë transportuar për në Spitalin e Elbasanit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të shkakut të aksidentit, ku paraprakisht dyshohet se drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin e mjetit dhe për pasojë është përplasur me trafikndarësen.