Katër persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e një aksidenti rrugor të ndodhur në Rrugën e Kombit, në segmentin Milot–Rrëshen.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Urës me Harqe, ku janë përplasur dy automjete, një minikuper dhe një automjet tip “Golf 6”.

Si pasojë e përplasjes, katër persona kanë mbetur të lënduar, mes tyre edhe një grua, e cila ka mbetur e bllokuar për disa minuta brenda mjetit për shkak të dëmtimeve të shkaktuara. Ajo është nxjerrë me ndihmën e shërbimeve të emergjencës.

Të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt spitalit, ku po marrin trajtim mjekësor dhe ndodhen nën kujdesin e bluzave të bardha.

Ndërkohë, policia që mbërriti menjëherë në vendngjarje ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e këtij aksidenti.

“Milot/Informacion paraprak

Në aksin rrugor “Milot-Morinë”, automjeti me drejtues shtetasin A. Ll. është përplasur me një automjet që drejtohej nga një shtetas i huaj.  

Si pasojë janë dëmtuar dy drejtuesit e automjeteve dhe 4 pasagjerë, të cilët janë transportuar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës, Tiranë. Aktualisht janë jashtë rrezikut për jetën. 

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit”, njofton policia.