SHKODER - Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur në kryqëzimin e fshatit Dajç-Bregu i Bunës në komunën Dajç, ndërsa viktima ka qëndruar për afro dy orë në rrugë të madhe, i shoqëruar vetëm nga dy punonjës të policësë rrugore, ndërsa bluzat e bardha pranë qendrës shendetësore kanë luajtur rolin e vëzhguesve duke mos ndërhyrë për tërheqjen e trupit të pajetë.

Simon Mark Vija 67 vjeç nga Dajçi ka qenë duke lëvizur me çiklomotorr kur është përplasur nga një mjet i tonazhit të lartë tip Iveco që drejtohej nga Ilir Kole Bujari 64 vjeç nga Laçi i Kurbinit, banues në Shkodër. 67-vjeçari ka vdekur në vend, teksa ka qëndruar për më se 2 orë në rrugë, deri në ardhjen e policisë kriminale dhe mjekut ligjor.

Aksidenti ka ndodhur vetëm 5 metra larg qendrës shendetësore të Dajçit por mungesa e një autoambulance për ta transportuar në spital ka bërë që kufoma të ngelej e palëvizur për ore të tëra nga rruga duke indinjuar banorët e këtij fshati dhe familjarët e viktimës.

Drejtuesi i Ivecos, Ilir Bujari është shoqëruar në komisariat për aksidentin me pasojë vdekjen.

(eç/shqiptarja.com)