KUKËS- Një vajzë humbi jetën si pasojë e një aksidenti të regjistruar mbrëmjen e sotme në tunelin e Kalimashit, ndërsa katër persona kanë mbetur të plagosur. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:45 në brendësi të tunelit, ku në aksident janë përfshirë dy automjete, një me targa kosovare dhe një me targa shqiptare. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta ka siguruar video nga momenti i përplasjes së dy mjeteve ku shikohet që shkak i aksidentit është bërë parakalimi gabuar i mjetit që lëvizte me shpejtësi skëterrë.

Viktimë ka mbetur pasagjerja e mjetit me targa shqiptare, Ediona Sala, banuese në Shkopet. Report Tv mëson se të plagosurit janë identifikuar si Sandër Beka, Mariglen Gjoka, Gjin Malsi dhe shqiptarja nga Kosova Mihrije Zeneli. Tre nga të plagosurit janë nisur drejt spitalit të Traumës në Tiranë për të marrë ndihmë mjekësore më të specializuar.

Report TV sjell pamje nga vendi i ngjarjes ku duken dy makinat e përfshira në aksident, si edhe njollat e gjakut në tokë. Aksidenti ka shkaktuar trafik duke sjell vështirësi në qarkullimin e mjeteve nga rruga e Kombit drejt Tiranës.

Mësohet se shqiptarët nga Kosova ishin kthyer për të festuar festat, ndërsa ata po nisesh drejt Italisë, konkretisht në Bergamo atje ku jetojnë. Një e afërme e të plagosurës nga Kosova thotë se mjeti me targa shqiptare i ka goditur nga pas dhe se ka qenë duke lëvizur me shpejtësi.

Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut  të aksidentit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:38
Report Tv siguron videon e përplasjes së dy makinave te tuneli i Kalimashit, parakalimi gabuar i merr jetën te resë

Një parakalim i gabuar me shpejtësi marramendëse i mori jetën të resë Ediona Sala mbrëmjen e sotme në një aksident. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta ka siguruar videon e momentit të përplasjes së dy makinave në tunelin e Kalimashit ku mbetën të plagosur edhe 4 persona.