Një aksident i rëndë ka ndodhur rreth 30 minuta më parë ku një kamionçinë që udhëtonte nga Vlora drejt Radhimës ka rënë në zonën e njohur si Kalaja, prapa tunelit te Uji i Ftohtë.
Kamionçina ka rënë nga 7 metra lartësi duke përfunduar në breg të detit.
Gazetari i Report TV, Armand Xhelili, thotë se brenda automjetit gjendej drejtuesi i mjetit, Përparim Kapaj. Ai ka siguruar edhe videon gjatë përpjekjeve për të nxjerrë shoferin nga automjeti ku policia dhe forcat Shqiponja shihen duke provuar të hapin derën me forcë.
Përparim Kapaj është 62-vjeçari që udhëtonte i vetëm në kamionçinën e cila transportonte materiale ndërtimi. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e emergjencës, të cilat i kanë dhënë ndihmën e parë të plagosurit dhe e kanë transportuar me urgjencë drejt spitalit rajonal të qytetit të Vlorës për trajtim mjekësor të specializuar.
Nga pamjet duket se kamioni ka dalë nga rruga dhe ka thyer barrierat mbrojtëse duke përfunduar poshtë, në pjesën me gurë.
Mendohet se shkak i aksidentit mund të ketë qenë humbja e kontrollit të automjetit. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.
Komente












