Një aksident tragjik rrugor me vdekjen e dy shqiptarëve ndodhi mëngjesin e së premtes në rrugën provinciale Amfipolis - Drama, pranë Paleokomit në Bashkinë e Amfipolis, në Serres të Greqisë.

Sipas informacioneve të deritanishme nga mediat greke, një makinë është përplasur ‘kokë më kokë’ me një kamion, në rrethana që mbeten nën hetim nga autoritetet kompetente.

Dy shqiptarët që ndodheshin në makinë, një grua 43-vjeçare dhe djali i saj 24-vjeçar, humbën jetën për shkak të përplasjes së fortë. Siç raporton ERT, 24-vjeçari po drejtonte makinën, ndërsa nëna e tij ishte në sediljen e pasagjerit.

Shoferi 56-vjeçar i kamionit u plagos në aksident dhe u dërgua në Spital me një auto-ambulancë, ku po merr trajtim mjekësor.

Forcat e Policisë Greke, dy automjete të Zjarrfikësve dhe ekipet e EKAB u mobilizuan menjëherë në vendngjarje. Aksidenti shkaktoi probleme të përkohshme në trafik në këtë pjesë të rrugës.