Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin DelisufajLushnjë, ku për pasojë kanë humbur jetën dy motra, Mirela Hasko 50-vjeç dhe Florije Xhepa 53-vjeç.

Burime për Report Tv bëjnë të ditur se automjeti me të cilin ato po udhëtonin, në të dalë të fshatit nuk ka arritur dot që të futej në urë dhe ka përfunduar në kanalin vaditës.

Mësohet gjithashtu se kanali ka qenë plotë me ujë dhe dy motrat kanë gjetur vdekjen nga mbytja, pasi nuk kanë mundur të dalin në sipërfaqe.

Auto-ambulancat kanë shkuar në vendngjarje, kanë marrë trupat e viktimave dhe i kanë transportuar drejt morgut të Lushnjës. Mjeti me të cilin po udhëtonin 2 gratë ka përfunduar nën urë nga rrjedha e ujit.

Ndërkohë grupi hetimor ndodhet në terren dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i Policisë:

Lushnjë/ Informacion paraprak-Rreth orës 19:00, jemi njoftuar se në një kanal me ujë, në aksin rrugor rural “Delisufaj-Çukas”, kishte rënë një automjet.

Menjëherë kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe të Zjarrfikëses, ku kanë konstatuar brenda automjetit dy shtetase të pajeta, konkretisht shtetasen F. Xh., 53 vjeçe, banuese në fshatin Çermë, drejtuese e automjetit, si dhe motrën e saj, shtetasen M. H., 50 vjeçe, banuese në fshatin Delisufaj, e cila ishte pasagjere në automjet.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të rënies së automjetit në kanal.