TIRANE -Një ditë pas aksidentit tragjik në Malin e Zi, 31 turistët shqiptarë të cilët u lënduan nga përmbysja e autobusit në Tivar, janë nisur për në Tiranë për t’iu bashkuar të afërmve të tyre. Të parët që kanë mbërritur janë Krisilda Veizi, 26 vjeçe nga Gjirokastra dhe Arjola Qendro, 27 vjeçe nga Erseka, të cilat kanë udhëtuar me autoambulanca dhe janë shtruar në Spitalin e Traumës, ku do të ndiqet me kujdes edhe gjendja e tyre shëndetësore. 

te aksidentuara mal i Zi logo
(Një nga vajzart e aksidentuara në mal të Zi, duke hyrë në Spitalin e Traumës)

Të plagosurit e tjerë u kthyen në Tiranë me autobuz, ndërkohë që rreth orës 17:10 kanë kaluar pikën kufitare të Murriqanit. Ndërsa një grua e cila nuk është në kushte për të udhëtuar, do të ndjekë mjekimin në spitalin e  Podgoricës. Ajo është e vetmja që u transportua në Podgoricë, pasi rreth 31 të plagosurit e tjerë morën ndihmën e parë në spitalin e Tivarit.

te aksidentuara mal i Zi logo
(Një nga vajzart e aksidentuara në mal të Zi, duke hyrë në Spitalin e Traumës)

Gjatë mbrëmjes në Spitalin e Traumës janë paraqitur edhe 2 të aksidentuar të tjerë,  Irenga Nurka 36 vjeç dhe Remzi Nurka, 50 vjeç, për një kontroll rutinë.

“Të gjithë  jashtë rrezikut për jetën, por ekipi mjekësor ka gjykuar që tre të udhëtojnë me autoambulancë dhe të marrim mjekim të specializuar në Tiranë në spitalin e Traumës. Është vetëm një grua që do të qëndrojë në Spitalin e Podgoricës e cila nuk mund të lëvizë me makinë. Është në gjendje stabël, nuk paraqet komplikacione, por  nuk është në gjendje për të lëvizur me makinë”, tha në një lidhje telefonike për A1 Report Këshilltari për mediat në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Glevi Dervishi.
 
Po ashtu, ka mbërritur edhe trupi i pajetë i Orena Kaçit, e vetmja shqiptare e cila humbi jetën në aksident.

Një grup prej 53 shqiptarësh ishin nisur më 25 Dhjetor, të organizuar nga një agjenci turistike për të kaluar Krishtlindjen në Dubrovnik të Kroacisë. Turistët ishin duke u kthyer për në Tiranë përmes Malit të Zi. Autobusi i tyre u përmbys në zonën e quajtur Fusha e Mërkotit mes Tivarit dhe Ulqinit, ku fatkeqësisht humbi jetën e reja me origjinë nga Tropoja. Sipas dëshmive të marra nga të plagosurit, tentativa e drejtuesit të autobusit për t’i hapur rrugën një makine i çoi ata në greminë. Ata thonë se në ato momente autobusi nuk ishte me shpejtësi, por rruga e ngushtë në atë aks ka bërë që një nga gomat të dalë jashtë rruge, e ku më tej shoferi Shkëlqim Cali të humbë kontrollin. Autobusi mendohet të ketë bërë 2-3 rrotullime derisa ka rënë rreth 5 metra në greminë.

Aksidenti i rëndë rrugor angazhoi autoritetet e larta shqiptare. Me urdhër të kryeministrit Edi Rama, Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj u nis drejt Malit të Zi për t’u interesuar për shëndetin e të lënduarve nga aksidenti tragjik. Ministria e Brendshme dërgoi drejt Malit të Zi efektivë rrugorë të policisë së Shkodrës të cilët iu bashkuan hetimeve të Malit të Zi, ndërsa Spitali i Shkodrës nisi drejt Tivarit autoambulcan për të mundësuar transportimin e të plagosurve.

Redaksia Online
(Gre.M/A.H/Shqiptarja.com)