Aksidenti i rëndë në punë i shoferit të Hekurudhës nuk u raportua! 63-vjeçar Arjan Metaj rrezikon të mbetet i paralizuar

Aksidenti i rëndë në punë i shoferit të Hekurudhës nuk u raportua! 63-vjeçar Arjan Metaj rrezikon të mbetet i paralizuar

Foto ilustruese

Arjan Metaj, 63 vjeç, u aksidentua ndërsa ngarkonte traversa betoni për llogari të Hekurudhës Shqiptare dhe sipas familjarëve, ai rrezikon të mbetet i paralizuar. Por ndryshe nga parashikimet ligjore, drejtuesit e Hekurudhës nuk e raportuan rastin në Inspektoratin e Punës.

Administrata publike po shijonte ditën e tretë të pushimit, të hënën e 10 prillit, si një zgjatim i festimeve për pashkët katolike, kur Arjan Metaj, 63 vjeç, u aksidentua ndërsa ngarkonte në një kamion traversa betoni për llogari të Hekurudhës Shqiptare. E bija, Xhana Metaj, i tha BIRN se i ati kishte marrë urdhër për të dalë në punë mëngjesin e së hënës, edhe pse kjo nuk ishte e zakonshme.

“Normalisht kur janë pushimet zyrtare nuk ka shkuar në punë. Ky ishte një rast i çuditshëm, por ai iku sepse e kërkoi drejtori,” tha Metaj.

Arjan Metaj ishte një shofer veteran i mjeteve të tonazhit të rëndë dhe punonte prej 13 vitesh për shoqërinë Hekurudha Shqiptare. Sipas së bijës, ai u aksidentua pasi ngarkoi traversat në karroceri dhe u ngjit në kamion për ta siguruar ngarkesën me litar, por rrëshiti duke rënë nga lartësia.

“Babi ishte duke i vendosur litarin që mos të rrëshqisnin gjatë transportit dhe në kohën që ai ishte lart duke e lidhur, një nga traversat ka lëvizur dhe ai ka rrëshqitur, ka rënë nga lartësia 3-4 metra poshtë,” tha Xhana Metaj.

Metaj fillimisht u transportua me autoambulancë drejt Spitalit të Durrësit, por shpejt mjekët zbuluan se 63-vjeçari kishte marrë plagë të rënda dhe e dërguan në spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar. Vajza e tij i tha BIRN se ai ishte në gjendje kritike dhe i paralizuar.

“Ka pësuar paralizë komplete, nuk lëviz fare, as duart, e kanë përcaktuar si tetraplegjik i shkallës së lartë,” rrëfeu e bija për BIRN.

Legjislacioni shqiptar i detyron administratorët e shoqërive që të raportojnë brenda 24 orëve aksidentet në punë, por drejtuesi i Inspektoriatit Shtetëror të Punës në Durrës i tha BIRN se nuk ishin informuar për rastin e Metajt dhe se do të nisnin një inspektim pas raportimit gazetaresk.

“Nuk kemi informacion për rastin, ju po më thoni, sepse ne indiciet i marrim nga media dhe detyrimin e ka administratori i subjektit që brenda 24 orëve të bëjë lajmërimin tek Inspektorati i Punës, sepse përndryshe sanksionohet me gjobë dhe këtë gjë s’e ka bërë,” tha Bledar Voka, kryeinspektori i Punës dhe Sigurimeve Shoqërore në Durrës.

Policia e Durrësit e raportoi rastin gati 30 orë pas aksidentit dhe deklaroi se kishte referuar në Prokurori për veprën penale të “shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë” teknikun e Drejtorisë së Hekurudhave në Durrës, 62 vjeçarin me iniciale I. XH.. Policia nuk dha detaje për datën dhe orën e ngjarjes, duke shtuar se i aksidentuari ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Administratori i Hekurudha Shqiptare, Gentian Liko nuk ishte i arritshëm për koment, ndërsa shoqëria nuk iu përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi pyetjeve aksidentimin e Arjan Metajt  dhe mosdeklarimin e aksidentit në Inspektoriatin e Punës në Durrës.

Aksidentet në punë janë të nënraportuara në Shqipëri dhe shpesh faji për to u ngarkohet viktimave.

Sipas Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, vitin që kaloi në Durrës pati 31 inspektime për aksidente në vende pune. Gjashtë prej aksidenteve ishin me pasojë humbjen e jetës. Në një rast tjetër, më 12 korrik 2022, Policia e Durrësit njoftoi se punëtori i një kompanie pastrimi kishte humbur jetën pas një aksidenti, por autoritetet nuk mundën ta identifikonin kompaninë në momentet e para. Edhe në këtë rast Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore në Durrës deklaroi për BIRN në atë kohë se nuk kishin njoftim për aksidentin.

Pas ndërhyrjes kirurgjikale të mërkurën, familjarët e Arjan Metajt thanë me trishtim se ai mund të ketë përgjithmonë nevojë për ndihmën e një karroce për të lëvizur. Familja është gjithashtu e revoltuar për raportimin e zbutur të ngjarjes nga policia.

“Pasi u publikua më erdhi keq, sepse shkruhej se punonjësi është në spital në gjendje të mirë. Kjo nuk është absolutisht e vërtetë”, përfundoi e bija. / BIRN

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Të burgosur prej vitesh në Kinë, lirohen tre amerikanët e burgosur, marrëveshja e rrallë diplomatike me Pekinin

Të burgosur prej vitesh në Kinë, lirohen tre amerikanët e burgosur, marrëveshja e rrallë diplomatike me Pekinin