Makina “Mercedes Benz” që drejtohej nga Enejdi Laçi, 25 vjeç, brenda së cilës ishin vëllai që sapo kishte marrë në Rinas, kushëriri dhe miku i tij, para se të përplasej me betonierën që kishte ndaluar në mes të rrugës pa ndezur bllokazhin, fillimisht parakaloi 2 kamionë pasi kishte hyrë në rrugën që të çon drejt Fushë-Krujës.

Nga verifikimi paraprak i bërë prej grupit hetimor, në parakalim, shpejtësia dyshohet të ketë qenë të paktën 200 km/h. Megjithatë, sapo Enejdi kaloi në korsinë e tij të lëvizjes, përplasja me betonierën ishte e pashmangshme për shkak të distancës së shkurtër, mungesës së fushëpamjes nga 2 parakalimet e para dhe shpejtësisë së lartë me të cilën po lëvizte.

Mendohet se në momentin kur ka goditur nga pas mjetin e tonazhit të rëndë, makina e të rinjve nga Borizana e Fushë-Krujës të ketë qenë me të paktën 170 km/h. Mungesa e gjurmëve të frenimit tregon për grupin hetimor se drejtuesi i saj nuk e ka parë fare betonierën, përplasja me të cilën shkaktoi tragjedi duke e shpërthyer në flakë makinën e duke i lënë të katërt të rinjtë të pajetë.

Aleksandër Krrashi, 24-vjeçari që drejtonte pa patentë betonierën, tashmë i arrestuar për 3 akuza nga policia, ka rrëfyer për hetuesit pse ndaloi në mes të rrugës pa ndezur sinjalet e bllokazhit. Sipas tij, sapo doli nga vendi i kompanisë së prodhimit të betonit ku punonte i padeklaruar, dhe kishte hyrë në rrugë, makina iu fik pasi sipas tij i mbaroi nafta. Ka provuar disa herë ta ndezë, por ka qenë e pamundur. Në afërsi ndodhet një pikë karburanti, tek e cila u tha hetuesve se shkoi për të marrë naftë, por gjatë kësaj kohe sipas tij, harroi të ndezë bllokazhin e makinës. Pas përplasjes ai u largua me ndihmën e kushëririt të tij, Valentin Krrashi, të dy të kapur pak orë më vonë.

Firma ku punonte Aleksandër Krrashi, rezulton të jetë “Hel-Jon shpk”, e cila merret me prodhim dhe tregtim betoni që prej vitit 2021, kur dhe është krijuar. Kompania është me administrator Samir Hoxhën, 27 vjeç, i cili është shpallur në kërkim pasi duhet të japë sqarime për për kushtet e kompanisë në raport me punonjësit. Samir Hoxha është djali i Ruzhdi Hoxhës, biznesmenit i cili u gjet i vrarë më 6 nëntor 2021 në Qafë Mollë.

Ndërkohë, për punësimin në te zezë të 24-vjeçarit Krrashi shofer për betonieren pa e pasur patentën për drejtimin e një kategorie të tillë mjeti, u arrestuar menaxheri i kompanisë, Danjel Koxha.

Në aksidentin e rëndë humbën jetën 2 vëllezërit, Enejdi dhe Erild Laçi, 25 dhe 20 vjeç, kushëriri i tyre Andi Laçi, 22 vjeç, dhe shoku Enrikejd Kurti, 24 vjeç. Erildi sapo ishte kthyer nga Gjermania dhe të afërmit shkuan për ta kthyer në shtëpi, por rruga e kthimit i largoi përgjithmonë nga familja.

TË ARRESTUARIT DHE VEPRAT PENALE:
Aleksandër Krrashi  - Shoferi i betonieres
-Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor
-Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt
-Largimi nga vendi i aksidentit
Valentin Krrashi, kushëriri i shoferit
 -Përkrahja e autorit të krimit
 Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës
Danjel Koxha, menaxheri
-Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor
-Fshehja e të ardhurave
-Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë
-Punësimi i paligjshëm

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:59
Aksidenti me 4 viktima, në kërkim pronari i kompanisë dhe betonieres Saimir Hoxha, djali i biznesmenit të vrarë më 2021 në Qafë-Mollë (FOTO)

1742551624_page.jpg

Saimir Hoxha, administratori i firmës 'Hel Jon', i shpallur në kërkim policor

Policia e Tiranës po vijon hetimet për aksidentin e rëndë me 4 të vdekur që ndodhi mesnatën e së mërkurës në rrugën Vorë-Fushë-Krujë, ku një mjet “Benz” u përplas me shpejtësi me një betoniere të ndaluar në rrugë dhe më tej shpërtheu në flakë, duke vrarë të katër të rinjtë.

Por mësohet se firma ku punonte drejtuesi i betonieres, Aleksandër Krrashi, 24 vjeç, i arrestuar, rezulton të jetë ‘Hel-Jon shpk’, e cila merret prodhim dhe tregtim betoni që prej vitit 2021, kur dhe është krijuar.

Kompania është me administrator Samir Hoxhën, 27 vjeç, i cili është shpallur në kërkim dhe akoma nuk është gjetur nga policia. Ai akuzohet se ka punësuar Krrashin si shofer, ndërkohë që nuk kishte patentë për drejtimin e mjeteve të rënda, teksa janë shkelur edhe rregullat e sigurisë rrugore e të punës.

Samir Hoxha rezulton se është djali i Ruzhdi Hoxhës, biznesmenit që u gjet i vrarë më 6 nëntor 2021 në Qafë Mollë.