Parkimet e gabuara rëndojnë trafikun në Tiranë! Specialisti: Problem makinat luksoze, ja zonat kritike! Eksperti: Rrisni gjobat për ‘të fortët’

TIRANË- Trafiku i rënduar në akset kryesore të Tiranës është kthyer në një shqetësim. Fluksi i lartë i automjeteve, sidomos edhe këtë periudhë ku është shtuar numri i vizitorëve për festat e fundvitit, apo edhe rrugët e ngushta në disa lagje, janë disa prej problematikave të ngritura në studion e Report Tv teksa u analizuan shkaqet dhe masat që duhen marrë për zgjidhjen e këtij problemi.

Problematika kryesore që sjell trafik të shumtë, sipas ekspertëve është qëndrimi dhe parkimi i gabuar i automjeteve. Ky fenomen sidomos vihet re në rrugët kryesore, si Papa Gjon Pali ku janë të përqëndruara një sërë klubesh nate, apo në zonën e Bllokut apo rreth stadiumit Air Albania.

Gerard Baka, specialist i menaxhimit të trafikut urban, ngriti këtë shqetësim në Report Tv me gazetarin Nertil Agalliu, duke thënë se pavarësisht masave dhe gjobave që vendosen nga policia, kemi mjete luksoze që parkohen në vendet e gabuara.

Për ekspertin rrugor, Fatmir Hasho duhet të rriten gjobat në varësi të llojit të mjeteve, pra për mjetet luksoze vlera e gjobës të jetë më e madhe në mënyrë që të ‘fortët’ të mos parkojnë në vendet që nuk lejohet.

“Duhen marrë masa për qëndrimet e gabuara sidomos në rrugët e ngushta. Duhet të rrisim gjobën edhe në varësi të mjetit, të fortët lënë makinat dhe ikin pinë kafe dhe ne ngelemi në trafik. Në pika të veçanta gjobat le të jenë të veçanta, se nuk na gjen gjë”, tha Hasho.  

“Nuk ka rendiment, nuk ka dhënë efektishmëri, në disa akse rrugore dikush që i ka mundësitë ekonomike mund ta parkojë mjetin dhe nëse ne e ndëshkojmë me limitin maksimal që është 30 mijë lekë të vjetra, ai do paguaj 15 mijë lekë brenda dy javëve. Kemi para disa segmente rrugore gjatë mbrëmjeve, nuk e shohin të arsyeshme të çojnë mjetin në parkim, por e lënë aty ku iu volitet me shumë. Marrim referencë Air Albania, vëmë re që ke shumë mjete në sipërfaqe dhe refuzojnë ta parkojnë në parkim që është shumë herë më i lirë. Apo rruga Papa Gjon Pali që është më problematike se shumica e klubeve janë të përqendruar aty, janë kryesisht mjete luksoze që parkojnë gabim dhe nuk u kushton asgjë ai 3 mijë lekëshi”, u shpreh Baka.

Emiljan Balliu, inspektor i Policisë Bashkiake, tha se megjithëse ka përpjekje për të mbajtur nën kontroll situatën, parkimet e gabuara mbeten një sfidë e madhe. Sipas tij, duhet të rritet vlera e gjobës për shkeljet rrugore.

“Ka ndryshuar disa, ka minimizuar disa akse kryesore, por është dashur edhe ti mbajmë në kontroll  herë pa shere që të arrijmë në minimizim e shkeljeve. Ke disa shkelje që duhen bërë nga 50-100 mijë lekë të vjetra vlera e masës administrative. Me këtë ngarkesë që kanë rrugët mendoj se duhet të rritet vlera e masave administrative”, vijoi Balliu.

Gerard Baka rendit disa arsye që sjellin trafik të rënduar në kryeqytet, si fluksi i festave të fundit këtë periudhë. Ndër të tjera ai rendit, fluksin e shtuar të mjeteve të regjistruara në Shqipëri, duke theksuar se pjesa më e madhe janë të përqendruara në Tiranë, apo infrastruktura e brendshme e lagjeve që sipas tij penalizon qarkullimin e rrjedhshëm.

“Ka në ngarkesë sepse po zhvillohet protestë tek Ministria e Arsimit dhe ne jemi të detyruar të bëjmë disa devijime. Edhe pa patur këtë lloj fenomeni duhet pranuar fakti që jemi në pikun e sezonit dimëror për shkak të festave të fundvitit, përqendrimi është kryeqyteti, kemi edhe faktorin turist që rritet dita-ditës.

S’duhet të harrojmë pjesën e punimeve që po kryhen tek Unaza e Madhe. Kryeqyteti është me trafik të rënduar dhe nëse duhet të bëjë një krahasim me vitet e para, fluksi i mjeteve është shtuar, kemi regjistrim të frikshëm të mjeteve në Shqipëri, sigurisht që epiqendra është kryeqyteti. Me hapjen e Uanzës së Madhe jemi optimistë.

Kemi aeroport që shton fluksin e pasagjerëve, po thyen rekordin sa i përket fluturimeve. Me hapje e Unazës së Madhe disa segmente do kenë frymëmarrje dhe lehtësim të trafikut, mos të harrojmë që infrastruktura e kryeqytetit, pjesët e brendshme të lagjeve janë në atë lloj kushteve që na penalizojnë për të pasur rrjedhshmëri trafiku”, vijoi Baka.

Por, si mund të menaxhohet më ndryshe kjo situatë. Eksperti rrugor Fatmir Hasho ngriti problemin e menaxhimit të semaforëve në Tiranë. Sipas tij, Bashkia duhet të integrojë Inteligjencën Artificiale për të rregulluar kohët e kalimit të dritës së gjelbër dhe të kuqe në varësi të fluksit të mjeteve në nyjet kryesore të qytetit.

“Do ta nis nga Bashkia e Tiranës, që s’ka mirëorganzim të semaforëve, që duhej të organizohej me metodat e reja të Inteligjencës Artificiale për të rregulluar kohën e jeshiles, të kuqes dhe të verdhës. Duhet bërë në studim se sa mjete kalojnë në çdo nyje të kryeqytetit në ditën javën, orën dhe muajin dhe në bazë të këtyre të dhënave. Pengesa e dytë është sjellja jo normale e drejtuesve të mjeteve që ende se kanë mësuar që për t’u kthyer majtas ose djathtas duhet të rrinë në korsitë përkatëse. Kjo pengesë krijon më pas radhët”, tha Hasho.

“Në kryeqytet duke qenë se shtohet çdo ditë popullsia, numri i mjeteve dhe është e detyrueshme të kemi shtim efektivësh në funksion të trafikut. Nuk them që është zgjidhje definitive, duhet edhe bashkëpunim me instanca të tjera si Drejtoria e Transportit në bashki dhe ndërhyrje në disa segmente rrugore për të bërë disa ndërhyrje. Në disa segmente mund të jetë e nevojshme ndryshimi i sensit të lëvizjeve, në momentin kur ti e bën me një studim të mirëfilltë. Këtë vendim e merr Bashkia”, tha Baka.

Baka nënvizoi se hapja e segmenteve të reja të Unazës së Madhe do të sjellë frymëmarrje për disa akse kryesore, por theksoi se mbetet e domosdoshme një ndërhyrje më e strukturuar për të përballuar këtë fluks të shtuar. Një opsion sipas tij, mbetet edhe ndërhyrja në disa akse, si psh të kthehen vetëm me një sens lëvizjeje.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Biku: 18/12/2024 17:10

    Lali eri ka zhdukur 50 % a ndoshta me shume te parkimeve publike per te bere korsi bicikletash. Makinat shtohen kurse bicikletat jo. Kush ka pune do e gjeje nje zgjedhje l, qofte duke parkuar ne mes te rruges

    Përgjigju
  • ??/: 18/12/2024 15:45

    Te vetmit qe jane fajtor per parkimet e gabuara ne qytetet Tona, jane ata qe kane dhene leje ndertimiper pallatet, pa siguruar parkimet per cdo banor.Te tjerat jane e lagu apo se lagu bishtin dhelpra.

    Përgjigju
    • Miku: 18/12/2024 17:18

      S'besoj se parkimet e gabuara jane shkaku, se e ke policine bashkiake aty per 2 minuta e ha gjobe, por ndertimet qe nuk lene me vend as te shtosh korsi. Olus edhe sheshi me plaka para Operes qe u mbyll.

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Samitit BE-Ballkani Perëndimor, presidenti i Këshillit Europian: Zgjerimi me vendet e Ballkanit Perëndimor, investimi më i madh gjeopolotik

Samitit BE-Ballkani Perëndimor, presidenti i Këshillit Europian: Zgjerimi me vendet e Ballkanit Perëndimor, investimi më i madh gjeopolotik