Ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë 59-vjeçari, i cili tre ditë më parë humbi kontrollin e automjetit dhe u përmbys në një kanal në rrugën dytësore Lezhë–Manati.
Viktima është Tonin Gjoni nga fshati Grykë Manati i Lezhës. Pavarësisht ndihmës së parë mjekësore dhe përkujdesjes së bluzave të bardha, 59-vjeçari nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Aksidenti ndodhi rreth mesnatës së së shtunës, kur drejtuesi i mjetit, i cili po udhëtonte i vetëm, humbi kontrollin e makinës dhe u përmbys në një kanal me ujë në anë të rrugës. Për nxjerrjen e tij u desh ndërhyrja e shërbimit zjarrfikës dhe më pas ai u transportua nga autoambulanca drejt urgjencës së Lezhës, ku mori ndihmën e parë mjekësore.
Më pas u dërgua në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku humbi jetën tre ditë pas aksidentit.Nga veprimet e policisë dyshohet se shkak i aksidentit është bërë errësira në rrugë, duke sjellë humbjen e kontrollit nga drejtuesi i automjetit.
Komente









