Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një të moshuari ndodhi pasditen e djeshme, në zonën e Medresesë, në Tiranë. Policia njoftoi se kishte mbetur viktimë shtetasi H. D., 75 vjeç, i cili ishte shtypur nga një makinë teksa kishte vrapuar të kalonte trafikndarësen në një sektor ku nuk është vendkalim për këmbësorët, e më pas kishte humbur ekuilibrin dhe ishte rrëzuar. Në këtë moment, sipas ‘bluve’ të kryeqytetit, kishte kaluar sipër këmbësorit mjeti me targë AA 545 NN, me drejtues shtetasin A. Y.

Ndërkohë, një person nga vendngjarja dhe që ka parë gjithçka ka treguar momentin e tmerrshëm. Në një mesazh dërguar Report Tv, dëshmitari shprehet se i moshuari as nuk është rrëzuar dhe as nuk ka ndodhur fare te Medreseja si aksident. Sipas tij, shoferi i mjetit ka qenë duke lëvizur me shpejtësi 90 km/h

“E pabesushme. Une kam qene ngjitur me te, as nuk eshte rrezuar dhe as nuk ka ndodhur tare tek medreseja si aksident. Shiferi ka qen mbi 90 km/h. E pabesushme. Gjithsesi shum flm prej Jush”, shkruan qytetari.

Njoftimi i policisë:
Më datë 17.10.2017, rreth orës 14:50, jemi njoftuar se në rrugën “Ferit Xhajko”, një mjet ka aksidentuar një këmbësor.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe ambulanca, ku nga verifikimet paraprake rezulton se :

Në rrugën “Ferit Xhajko”, këmbësori H. D., rreth 75 vjeç, ka vrapuar të kaloj trafikëndarësen në një sektor ku nuk është vendkalim për këmbësorët, duke humbur ekuilibrin dhe për pasojë është rrëzuar, në këtë moment ka kaluar sipër këmbësorit mjeti me targë AA 545 NN, me drejtues shtetasin A. Y.

Shtetasi H. D., rreth 75 vjeç, ka ndërruar jetë. Mjeti, drejtuesi i mjetit dhe shërbimet e policisë janë në vendngjarje, po kryhen veprimet e mëtejshme hetimore dhe proceduriale.

aksident te medreseja

(Trupi i viktimës në rrugë)

d.c./shqiptarja.com