TIRANE-Report Tv zbardh pjesë nga dëshmia e dy drejtuesve të mjeteve që u arrestuan ditën e djeshme pas aksidentit tragjik me dy të vdekur në zonën e 'Xhamllikut'. Edmond Murati dhe Etjon Lazri u arrestuan menjëherë nga policia.

Nga testi që iu bë ka rezultuar se nuk kishin konsumuar alkool, ndërsa vijojnë hetimet. Gazetarja e Report Tv, Xhensila Kodra ka zbardhur pjesë nga dëshmia e tyre para grupit hetimor. "Nuk e dimë si ndodhi, pamë vetëm kur u përplasëm" mësohet se kanë thënë dy shoferët e arrestuar. Ndërsa Etjon Lazri ka deklaruar se "Edhe pse isha me shpejtësi, tentova që të ndaloj, por për shkak të shpejtësi erdhi edhe përplasja" tha thënë ai.

Por si ndodhi aksidenti? Dje rreth orës 15:15, Erion Balla 36-vjeç dhe një grua e moshës 72-vjeçe Hidajete Salliu ishin duke ecur në trotuar pranë vijave të bardha kur u përplasën nga njëra prej makinave dhe si pasojë humbën jetën. Report Tv publikoi edhe pamjet e aksidentit, duke treguar momentin si u përplasën për vdekje dy personat.

Në aksident u përfshinë 'Volkswageni New Beatle' ngjyrë gri  me targa 'AA 544 SX'  që drejtohej nga Etjon Lazri që po lëvizte me shpejtësi tej normave duke përplasur 'Golfin' ngjyrë blu me targa 'AA 758 YZ' me drejtues Edmond Muratin që po tentonte të futej në majtas rrugës. Nga shpejtësia si pasojë e përplasjes së 'Golfit', 'Volkswageni New Beatle' përfundoi jashtë rrugës duke përplasur për vdekje 36-vjeçarin dhe 72-vjeçaren.

Pamjet si ndodhi aksidenti dje në Tiranë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:28
Aksidenti tragjik dje në Tiranë, eksperti: Shkak shpejtësia, të vendosen kamera dixhitale për të monitoruar trafikun (VIDEO)

Për ekspertin e sigurisë rrugore, Artur Sulçe, shpejtësia tej normave të lejuara është shkaku kryesor, e sidomos në zonat e banuara për aksidentet. “Tejkalimi i shpejtësisë ndikon jashtë mase në ardhjet e aksidenteve në qendrat e banuara. Kushdo përdorues rruge, drejtues automjeti, në qendrat e banuara duhet të jetë brenda limiteve edhe kur rruga është bosh.

Sepse duke qenë brenda limiteve kanë mundësinë që ndërprerjet e rrugës, qoftë nga drejtues automjetesh të menjëhershme, qoftë nga përdoruesit e dobët që mund të jenë biçiklistët apo motoçiklistët, çiklomotorët apo edhe këmbësorët, fëmijë apo pleq, gjithmonë ai duke qenë me 40 e ka mundësinë të shmangë ose të manovrojë dhe njëkohësisht dëmet që mund të realizohen tek këta përdorues rruge e të jenë sa më të vogla. Njëkohësisht, një element tjetër tek aksidenti ku ka ndodhur dje është një rrugë që akoma nuk ka mbaruar rikonstruksioni.

Sepse mbaroj me shtresat e asfaltit, është duke u kompletuar sinjalistika dhe unë që zbres përditë e shoh që edhe vijat e kalimit të këmbësorëve nuk janë vendosur deri në fund. Pra, është duke u përfunduar. Duhet patjetër që ashtu siç është vendosur tabela që nuk lejohet parkimi, të kontrollohet qoftë nga Policia Rrugore, por njëkohësisht të vendosen kamera dixhitale dhe të vendoset salla e të bëhet funksionale për të kontrolluar magjistralet kryesore të rrugës për të siguruar një trafik sa më të qetë e më të rregullt” tha ai për Report Tv. Ai i bën apel të gjithë drejtuesve të mjeteve të respektojnë Kodin Rrugor, si dhe këmbësorët të kalojnë tek vizat e bardha dhe në mbikalime

Ora 12:57
Aksidenti tragjik në Tiranë/ Familjarët e dy viktimave ndezin qirinj dhe vendosin lule

1578052647_aksidenti.jpg
Familjarët e dy viktimave nga aksidenti tragjik dje në zonën e 'Xhamllikut' në Tiranë mesditën e sotme kanë ndezur qirinj dhe kanë vendosur lule në vendin ku humbën jetën Erion Balla 36-vjeç dhe Hidajete Salliu 72-vjeçe. Report Tv sjell pamjet.

Ora 12:53
E përplasi makina për vdekje, nipi i të moshuarës rrëfen për Report Tv: Po shkonte për drekë te djali

Report Tv ishte sot sërish te zona e 'Xhamllikut' ku humbën jetën dy persona si pasojë e aksidentit tragjik që ndodhi dje. Festim Kallashi, nipi i 72-vjeçares Hidajete Salliu, që humbi jetën dje nga aksidenti shprehet se e moshuara po shkonte te djali për drekë në ditën e dytë të vitit, por makina e përplasi për vdekje.

Si e morët vesh lajmin?
Më merr im vëlla dhe më thotë është aksidentuar tezja, e kanë vrarë me makinë. Më shkoi mendja, ka shkuar për vizitë te djali, apo motra. Edhe....ctë them. Unë jam nipi

A keni kërkuar informacion nga policia?
Deri tani nuk kemi kërkuar, ne presim drejtësinë e shtetit, cfarë masash do të marrë për këta njerëz.

Ishte duke në vijat e bardha...
Drejtuesit duhet të jenë më të qetë të vëmendshëm se kalojnë fëmijë në rrugë, të moshuar...

Viktima Hidajete Salliu