ITALI- Bardhi Brahimaj, 40-vjeç është shqiptari që humbi jetën tragjikisht në Como, Itali pasi e zuri poshtë një masiv dheu teksa ishte në vendin e punës.
Brahimaj ishte punonjës i ‘Comedil Mangino të Olgiate Comasco”. Në fillim u raportua se ai po punonte brenda një gropë, por mediat italiane shkruajnë se punëtorët po bënin një gërmim në kërkim të një tubacioni në një rrugë. Duke mos e gjetur, gërmimi vazhdoi përtej thellësisë së pritshme. Por sapo po përfundonte ndërhyrja, brenda gropës ra një lopatë.
Bardhi Brahimaj ishte jashtë dhe hyri në gropë për ta marrë. Por papritur muret u shembën. Zjarrfikësit e Appiano Gentile dhe Como ndërhynë menjëherë në vendngjarje për të pastruar gropën ku arritën të nxjerrin trupin, por 40-vjeçari shqiptar kishte humbur jetën.
Autoritete italiane thonë se do të duhet të kryhen hetime dhe rindërtime të mëtejshme për të kuptuar se si ajo situatë e rrezikshme ka dalë jashtë kontrollit dhe si kjo ngjarje kanë ndodhur dhe herë të tjera në kantiere e rrugë të ngjashme.