Tepelene- Mes dhimbjes, Lavdosh dhe Lefteri Begaj u përcollën në banesën e fundit në qytetin e Memaliaj. Ata ishin bërë gjyshër për herë të parë dhe mbrëmjen e së dielës, 17 mars 2024, po shkonin të festonin lindjen e nipit, por humbën jetën në aksident.
62-vjeçari Lavdosh Begaj, punonjës i OST po drejtonte makinën “Toyota” ku pasagjerë kishte bashkëshorten, krushqit Jani dhe Lavdie Meta dhe nënën e moshuar të Jani Metës. Në “bypass”-in e Tepelenës, makina e tyre u përplas nga një Benz që drejtohej nga 42-vjeçari Riza Rrapaj, i cili gjithashtu humbi jetën. Nga përplasja e fortë, ndërroi jetë 90-vjecarja Afërdita Meta, e cila u përcoll sot në banesën e fundit. Aksidentit të rëndë i shpëtuan çifti Jani dhe Lavdie Meta, të cilët janë shtruar në spitalin e Traumës.
Jashtë kamerës, fqinj dhe të afërm thanë me dhimbje se familjes Begaj iu mbyll dera e shtëpisë. Ata kishin dy vajza të martuara, ndërsa ishin bërë gjyshër për herë të parë. Mbrëmjen e së dielës ishin nisur për të festuar lindjen e nipit në një lokal në periferi të Tepelenës. Vajza e Lavdosh Begajt është e martuar me djalin e Jani Metës. Ndaj dy çiftet, krushqi me njeri-tjetrin ishin nisur së bashku në një makinë për tek restoranti ku do organizohej darka festive.
Ndërsa ne fshatin Izvor te Memaliajt iu dha lamtumira 42-vjecarit Riza Rapaj. Faturisti i OSHEE-së dyshohet se shkaktoi aksidentin fatal. Burime për Report TV thanë se shpejtësia e lartë dhe lagështia në rrugë sollën devijim e korsisë dhe përplasjen e Benzit me Toyotën mbrëmjen e së dielës në aksin Memaliaj-Tepelenë.
Në lidhje me aksidentin policia e Tepelenës njoftoi këtë të hënë arrestimin e 46-vjecarit Elton Proko, i cili drejtonte makinën e tretë që u përfshi në aksident. Është pikërisht “BMW” që godoti nga pas Toyote-n, pasi kjo e fundit ishte përplasur me Benzin. 46-vjecarit që mori lëndime të lehta iu komunikua masa në spital për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Riza Rrapaj 42 vjeç
Lavdosh Begaj 62 vjeç
Lefteri Begaj 57 vjeç
Afërdita Metaj 90 vjeç