Policia e Lezhës ka arrestuar një 47-vjeçar, i cili është aksidentuar me makinën tip 'audi', teksa ishte i dehur në timon, dhe në momentin që ka mbërritur policia ka tentuar të fshehë një armë tip pistoletë, që kishte me vete.
Në pranga ka rënë shtetasi Astrid Nimani, banues në Lezhë, i cili kur ka parë policinë ja ka dhënë pistoletën 24-vjeçarit D. M. për ta fshehur. I riu e ka hedhur armën në oborrin e një banese dhe ka arritur t'i shpëtojë policisë me ndihmën e 39-vjeçarit Oltion Vuka. Për pasojë, në pranga ka rënë dhe 39-vjeçari Vuka, ndërsa është shpallur në kërkim 24-vjeçari.
Njoftimi i policisë:
Aksidentohet me makinë dhe përpiqet të fshehë nga policia armën pistoletë që e kishte me vete, arrestohet në flagrancë. Proçedohen penalisht edhe 2 shtetas të tjerë për pengime për zbulimin e së vërtetës së ngjarjes.
Nga specialistët e Seksionit kundër krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
- Astrid Nimani, 47 vjeç, banues në Lezhë
- Oltion Vuka, 39 vjeç, banues në Lezhë
Gjithashtu, u shpall në kërkim dhe punohet për kapjen e shtetasit D.M.24 vjeç, banues në Lezhë. Arrestimi dhe shpallja në kërkim ndaj këtyre shtetasve u bë pasi, shtetasi A.Nimani, në aksin rrugor Shëngjin - Lezhë, duke drejtuar mjetin tip Audi në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga ku për pasojë ka patur vetëm dëme materiale.
Në momentin që ka shkuar policia në vendngjarje, shtetasi A.Nimani i ka dhënë armën e zjarrit tip pistoletë shtetasit D.M. për ta fshehur, e cila është gjetur e hedhur në oborrin e një banese aty afër ku dhe u sekuestrua në cilësinë e proves materiale.
Shtetasi D.M. ka arritur të largohej pasi veprimet e punonjësve të policisë për zbardhjen e së vërtetës janë penguar nga shtetasi O.Vuka.
Veprat penale " Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit" "Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt" dhe " Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë" parashikuar nga nenet 278/1, 291 dhe 242 të Kodit Penal në ngarkim të shtetasit Astrid Nimani.
Veprat penale " Veprime që pengojne zbulimin e së vërtetës" "Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik" parashikuar nga nenet 301 dhe 236/1 të Kodit Penal në ngarkim të shtetasit Oltion Vuka.
Vepra penale "Veprime që pengojne zbulimin e së vërtetës" parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasit D.M. Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprime të mëtejshme.