SHKODER - Një aksident i rëndë është shënuar mbrëmjen e së martës në qendër të qytetit të Shkodrës. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 21:45 pranë Radio Shkodrës ndërsa i plagosur rëndë ka mbetur 37-vjeçari Agim Fran Lashi, i cili ka qenë duke lëvizur me një motoçikletë tip Yamaha.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, 37-vjeçari ka qenë duke lëvizur me shpejtësi ndërsa në një moment ka humbur kontrollin dhe është ndeshur me një automjet tip Benz të parkuar në anë të rrugës. Nga kontakti me Benzin, 37-vjeçari ka humbur totalisht drejtimin e motoçikletës dhe për pasojë është përplasur me asfaltin, ku edhe është dëmtuar në pjesën e kokës. Kanë qenë kalimtarët e rastit, të cilët i kanë dhënë ndihmën e parë të aksidentuarit duke e dërguar në urgjencën e spitalit rajonal të Shkodrës, ku ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Sipas bluzave të bardha goditja në pjesën e kokës ka qenë e fortë duke i shkaktuar dëmtime të konsiderueshme. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë efektivët e policisë rrugore të cilët kanë nisur hetimet për shkaqet e aksidentin të rëndë. Sipas bluve dyshohet se 37-vjeçari ka humbur kontrollin nga manovrimi i gabuar i motoçikletës ndërsa ka qenë duke lëvizur me shpejtësi.

Një tjetër faktor që ka ndikuar në dëmtimin e drejtuesit të motoçikletës sipas grupit hetimor ka qenë edhe mungesa e skafandrës. E ndërkohë vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit të ndodhur në qendër të qytetit të Shkodrës.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)