Tragjedi në Kroaci, autobusi nga Kosova del nga rruga, 10 viktima e 44 të plagosur! Arrestohet shoferi: Më zuri gjumi! Kosova nesër në zi kombëtare! Identifikohen 7 qytetarë që ndërruan jetë

10 viktima dhe 45 të plagosur, ky është bilanci tragjik i një aksidenti të rëndë që u mëngjesin e sotëm në Kroaci, ku u përfshi një autobus nga Kosova. Aksidenti i rëndë u regjistrua në qytetin Slavonski Brod, rreth orës 06:20 të mëngjesit, ndërsa autobusi me targa të Kosovës vinte nga Franfurti, Gjermani, drejt Prishtinës, ndërsa në bord kishte 67 pasagjerë dhe dy shoferë, ku njëri humbi jetën në aksident. Viktima u identifikua si Naser Sylmetaj, ndërsa vetëm 30 minuta para aksidenti, ai u largua nga timoni, për t'ja lënë vendin shoferit tjetër.

Shefi i Policisë Rrugore të Stacionit Policor Slavonski Brod, Franjo Galiç ishte i pari që shkoi në vendin e ngjarjes, ndërsa aksidentin e përshkroi si më të rëndin që kishte parë ndonjëherë.

15 prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë, mes të cilëve edhe një vajzë e mitur, ndërsa 3 prej tyre i janë nënshtruar operacionit. Ndërkohë mediat kosovare kanë identifikuar 7 nga 10 viktimat e aksidentit tragjik. Në mesin e viktimave është një vajzë së bashku me nënën e saj, Valentina Binakaj, dhe vajza e saj Erlinda Binakaj.

Kanë ndërruar jetë në mënyrë tragjike nga aksidenti, po ashtu, Sevdail Rruatemi, lindur më 1973, Pakshticë e Epërme – Podujevë, Naser Sylemetaj, lindur më 1974, Gjakovë, Launora Kolmekshaj, lindur më 1982, Junik – Deçan, Kujtim Kastrati, lindur më 1981, Radoste, Hamet Hoxha, lindur më 1966 Randobravë – Gjakovë.

Ndërkohë, sipas mediave kroate, shoferi i autobusit është arrestuar ndërsa në dëshminë e tij  ka deklaruar se e kishte zënë gjumi për një moment, gjë që mendohet se është edhe shkaku i aksidentit, megjithatë autoritetet po vijojnë hetimet.

Në një reagim mbi ngjarjen, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i shprehu ngushëllimet familjarëve të viktimave, ndërsa shtoi se qeveria ndodhet pranë qytetarëve në këto çaste të vështira. Sakaq presidentja Vjosa Osmani mori vendimin që dita e nesërme, 26 korrik 2021, të shpallet ditë zie shtetërore në nderim të qytetarëve të Kosovës, të cilët humbën jetën tragjikisht në aksidentin në Kroaci.

Sipas Ministrit të Shëndetësisë së Kroacisë, Vili Berosh në autobus kanë qenë prezent 15 të mitur, ndërkohë theksoi faktin se Qeveritë e të dyja vendeve, ajo e Kroacisë dhe Kosovës do të jenë pranë familjarëve të njerëzve që humbën jetën dhe të lënduarve.

 

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:53
Identifikohen 7 nga 10 viktimat e aksidentit tragjik në Kroaci, mes tyre humbën jetën nënë e bijë

Nënë e bijë, Valentina Binakaj, dhe vajza e saj Erlinda Binakaj janë dy nga viktimat e identifikuara, nga aksidenti tragjik që ndodhi mëngjesin e sotëm në Kroaci, ku humbën jetën 10 emigrantë nga Kosova.

Mediat në Kosovë raportojnë po ashtu se viktima të aksidentit kanë mbetur Sevdail Rruatemi, 1973 Pakshticë e Epërme – Podujevë, Naser Sylemetaj, 1974 Gjakovë, Launora Kolmekshaj, 1982 Junik – Deçan, Kujtim Kastrati, 1981 Radoste, Hamet Hoxha, 1966 Randobravë – Gjakovë.

Erlinda Binakaj
Ora 22:09
I mbijetuari nga aksidenti në Kroaci kujton mes lotësh momentin e përplasjes: Ne që ishim në katin dytë të autobusit shpëtuam, poshtë ishte masakër e vërtetë

14 personat që shpëtuan pa ndonjë lëndim nga aksidenti i sotëm në Kroaci, ku humbën jetën 10 qytetarë nga Kosova.

Fidan Hajdari, i cili jeton dhe punon në Gjermani ka treguar mes lotësh sesi ndodhi aksidenti.

“Ne që ishim në pjesën e sipërme të autobusit nuk pësuam lëndime, por ata që ishin poshtë… ishte një masakër e vërtetë. Pothuajse të gjithë pasagjerët ishin duke fjetur në orën 6 të mëngjesit. Ende nuk e kam të qartë se si një tragjedi kaq e madhe mund të ndodhte. Gjëja e parë që mbaj mend pasi u zgjova nga rrotullimi, ishte mendimi se jemi rrotulluar, por se nuk ishte ndonjë aksident i madh. Në ato moment, nuk e mendoja se mund të ishte diçka shumë tragjike, por ja që ishte. Ne kemi ndihmuar të nxjerrim trupat e pajetë nga autobusi. Gjeta edhe mundësinë të lajmëroj familjen, të gjithë ishin të gëzuar”, ka deklaruar Fidan Hajdari, i riu i cili jeton dhe punon në Gjermani.

Ora 22:03
Kryeministri kroat pas vizitës në spital: Do të mbulojmë të gjitha kostot për të lënduarit

Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq ka bërë të ditur se gjendja e të lënduarve nga aksidenti tragjik në Kroaci është e qëndrueshme dhe se janë jashtë rrezikut për jetë. Plenkoviq tha se një nga të lënduarit është dërguar në Zagreb.

“Vetëm një nga të lënduarit është aktualisht në Zagreb, të gjithë të tjerët janë vendosur këtu në spitalin në Sllavonski Brod ose në një shtëpi me konvikt, ata që nuk janë të lënduar”, tha Plenkoviq.

Më tej ai ka shtuar se do të ndihmojnë në kostot e shpenzimit dhe gjithçka tjetër.

“Nga kostot e qëndrimit këtu, deri tek organizimi i udhëtimit në Kosovë për të gjithë pacientët, sepse duke pasur parasysh situatën, jo të gjithë pacientët do të jenë në gjendje të largohen nga Sllavonski Brod në të njëjtën kohë. Ne do të mbulojmë gjithçka”, tha kryeministri kroat.

 

Ora 21:15
‘Shumica kanë qenë në gjumë kur ka ndodhur aksidenti’, Kurti flet nga spitali ku po trajtohen të plagosurit në Kroaci: Mirëqenia jonë varet shumë nga mërgata, tragjedia e rëndë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për media pasi ka vizituar të plagosurit në aksidentin që mori jetën e 10 emigrantëve në Slavenski Brod të Kroacisë.

Kurti ka falënderuar kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq dhe stafin mjekësor të spitalit që kanë trajtuar të lënduarit në aksident. Ai po ashtu ka shprehur ngushëllime për familjarët e atyre që humbën jetën në aksident.

Po ashtu kryeministri Kurti, ka treguar se shumica e qytetarëve kur ka ndodhur aksidenti kanë qenë në gjumë.

‘Së pari dua që t’ju shpreh ngushëllimet tona të gjitha familjeve dhe miqve të atyre 10 udhëtarëve që vdiqën sot në këtë aksident të tmerrshëm. Po ashtu ju shëroj shërim të shpejtë dhe të plotë të gjitha atyre që janë të lënduar rëndë dhe lehtë kjo është një ditë shumë e rëndë me dhembje e pikëllim për mbarë popullin tonë. Me këtë rast dua të falenderoj kryeministrin e Kroacisë Andrej Plenkoviq për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm, ndihmë e shpejtë, reagimin urgjent dhe trajtimin e pacientëve këtu në spital por edhe udhëtarëve këtë tjerë të cilat janë në duart e sigurta të mjekëve dhe psikologëve. Këtu i vizitova të gjithë pacientët nëpër dhomat e spital përfshirë edhe ata dy që janë në kujdesin intensiv dhe falenderoj edhe menaxhmentin e spitalit dhe profesionistët shëndetësor për kujdesin e treguar dhe shërbimin e shkëlqyer. Këtu jam bashkë me tre ministrtat e qeverisë sonë. Për të qenë pranë këtyre udhëtarëve të cilët patën fat në këtë fatkeqësi. Qindra mijëra qytetarë të vendit tonë kthehen gjatë verës për pushime në vendlindje dhe shteti ynë, ekonomia jonë dhe mirëqënia varet prej tyre. Kjo fatkeqësi është tepër e rëndë për ne. Duke ju falendëruar solidaritet këtu bashkë do ja dalim më lehtë andaj edhe një herë ngushëllime familjarëve dhe faleminderit kryeministrit Plenkoviq”, ka thënë ai.

“Shumica kanë qenë në gjumë kur ka ndodhur ky aksident tragjik. Duhet të fokusohemi në tejkalimin sa më të shpejtë të kësaj situatë. Ju kam dëshiruar më të mirën. Që të pushojnë e të flejnë dhe u kam thënë se janë në duart e sigurta të mjekëve dhe psikologëve kroatë”, shtoi ai.

Ora 20:12
Aksidenti tragjik me 10 viktima, Albin Kurti mbërrin me helikopter në Kroaci, shkon në vendngjarje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbërritur në Kroaci ku është pritur nga ambasadori i Kosovës, Gëzim Kasapolli dhe disa zyrtarë.

Kurti ka mbërritur në vendin ku autobuzi me emigrantë u aksidentua dhe pritet të vizitojë të lënduarit që po trajtohen në spital. Bashkë me të janë edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia si dhe shefi kabinetit të Vjosa Osmanit, Blerim Vela.

Ora 20:01
Familjarët e shoferit që humbi jetën në Kroaci hapin dyert e mortit, i afërmi: Nuk kemi asnjë informacion se kur kthehet trupi në Kosovë

Familja e Naser Sylmetajt në Gjakovë, ka hapur dyert e mortit që pas lajmit për aksidentin tragjik në Kroaci, ku humbën jetën 10 shtetas kosovarë dhe u plagosën 44 të tjerë.

I afërmi i Naserit, njëri prej të paktave viktima që i është bërë i ditur identiteti, thotë se ende nuk ka asnjë informacion zyrtar nga autoritetet e atjeshme, për rrethanat e aksidentit dhe as për kthimin e trupit të tij në Kosovë.

‘Agjensioni na ka konfirmuar se është në mesin e të vdekurve Naser Sylaj, por zyrtarisht nuk kemi ende asnjë informatë sesi ka ndodhur, edhe nga Ministria e Brendshme na kanë thënë se nuk kanë një informacion sesi ka ndodhur aksidenti.’- u shpreh i afërmi.

Ndërsa kryetari i Komunës së Gjakovës Ardian Gjini, gjatë vizitës së ngushëllimit në shtëpinë e viktimës, tha se nuk ka asnjë emër tjetër të konfirmuar të viktimave. Naser Sylmetaj ishte një nga viktimat e aksidentit tragjik. AI ishte një nga shoferët e autobusit dhe vetëm 30 minuta para ngjarjes u largua nga timoni, për t’ia dhënë këtë detyrë kolegut.

‘Për momentin emër të konfirmuar kemi vetëm shoferin, për të tjerët po presim konfirmimin e institucioneve. Nuk di çfarë të them në këto raste përpos që të ngushëllojmë familjet, shpresojmë që ato që janë të lënduar ta marrin veten sa më shpejt dhe të mos rritet numri i viktimave.’- u shpreh kryetari i komunës.

Ora 19:09
Aksidenti me 10 viktima, kryeministri i Kroacisë viziton të lënduarit: Ngushëllime familjarëve, do të ndihmojmë me gjithçka që nevojitet

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, së bashku me ministrin e Jashtëm, Gordan Grliç Radman dhe ministrin i Brendshëm, Davor Bozinoviç, kanë vizituar të lënduarit nga aksidenti i shënuar mëngjesin e sotëm në qytetin Slavonski Brod.

Duke folur për mikrofonat e mediave kroate Plenkoviç i ka shprehur ngushëllime familjarëve të personave që humbën jetën dhe mbetën të lënduar nga ky aksident.

 “Unë dua t’i shpreh ngushëllimet e mia në emër të Qeverisë dhe popullit kroat të gjithë familjarëve të viktimave dhe personave të lënduar” tha kryeministri, duke falënderuar i ministrat, shërbimet e policisë si dhe mjekët që u morën me aksidentin.

Kryeministri kroat ka shprehur gatishmërinë e tij për t’i qëndruar pranë çdo njeriu të prekur nga kjo tragjedi.

“Ne do të ndihmojmë me gjithçka që është e nevojshme. Jo të gjithë do të jenë në gjendje të shkojnë në Kosovë në të njëjtën kohë, disa janë të plagosur, disa nuk janë, ne do të ndihmojmë me transportin dhe në të gjitha mënyrat që nevojiten. Nuk kemi parë një aksident të tillë prej vitesh.”, u shpreh ai.

Ora 18:10
Aksidenti tragjik në Kroaci, ministri i Shëndetësisë: 15 prej udhëtarëve të mitur, 1 në gjendje të rëndë, 3 nga të lënduarit i janë nënshtruar operacionit

Ministri i Shëndetësisë së Kroacisë, Vili Berosh ka treguar detaje lidhur me gjendjen shëndetësore të personave të lënduar nga aksidenti tragjik i mëngjesit të sotëm, në të cilin humbën jetën 10 persona.

Berosh tregoi se në mesin e personave që po udhëtonin me autobusin që u aksidentuar ishin të pranishëm edhe 15 të mitur, prej të cilëve 1 vajzë është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ai specifikoi se prej të lënduarve 15 janë në gjendje shëndetësore më të rënduar dhe 3 prej tyre po i nënshtrohen operacionit.

 “Sipas të dhënave te momentit të cilat edhe mund të ndryshojnë, janë aksidentuar 69 persona, 67 pasagjerë dhe dy shoferë, nga ta fatkeqësisht kanë vdekur 10 persona,42 të lënduar janë dërguar në spital në Slavonsko Brod kurse dy janë hospitalizuar në Nova Gradisht. Në Nova Gradisht është një i lënduar i cili ka lëndime të kurrizit, për çka e kemi aranzhuar dërgimin në klinikën e traumatologjisë në Zagreb. Kemi edhe të lënduar rëndë, që janë 15, tre janë në operacion, kurse të tjerët janë duke u diagnostikuar, është e mundur qe edhe ndonjë që është duke u trajtuar të marr diagnozën e të lënduarit rëndë, kështu qe gjithçka është e mundur. Ajo që po e theksoj që në fatkeqësi ishin edhe15 të mitur, nga të cilët një vajzë ka lëndime të rënda, kurse të tjerët janë pranuar këtu”, tregoi ai.

Ministri kroat u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave dhe u ka uruar shërim të lënduarve duke thënë se Qeveritë e të dyja vendeve, ajo e Kroacisë dhe Kosovës do të jenë pranë familjarëve.

Ora 17:42
‘Pashë të lënduarit, të vdekurit, njerëz pa krahë, të shtrirë në livadhin atje poshtë’, i mbijetuari rrëfen detaje të rënda nga tragjedia në Kroaci

Një nga udhëtarët e autobusit që doli nga autostrada afër qytetit Slavonski Brod në Kroaci ditëb e sotme dhe u përmbys duke lënë të vdekur 10 persona, e mbi 40 të tjerë të plagosur, e përshkroi momentin tronditës para kamerës së Radio Televizionit Kroat.

Ramo Gashi tregoi se si i dukeshin momentet e para pas aksidentit të tmerrshëm. “Diçka shpërtheu për një sekondë, pashë gjithë ata njerëz nëpër gjithë livadhin atje poshtë, në atë kanal pranë autostradës”, tha Gashi.

Ai përshkroi të tmerrshme pamjet që pa. “Unë i pashë të lënduarit, të vdekurit, pashë gjithçka, njerëz pa krah, pashë gjithçka, gjithçka”, tha ai.

Ndërkohë edhe dy të mbijetuar nga aksidenti tragjik kanë folur për mikrofonat e mediave kosovare dhe kanë përshkruar momentet që përjetuan. Njeri prej tyre tha se gjithçka ka ndodhur brenda një minute dhe se shoferët ndërroheshin kohë pas kohe, duke shtuar se kanë qenë në gjumë.

“Ka ndodh brenda një minute. Vetëm kemi parë se është rrëzuar autobusi. Kemi parë kiamet. Shoferët kanë qenë në gjumë. Ata janë ndërruar kohë pas kohe”, ka thënë njëri prej të mbijetuarve.

Një tjetër tha se autobusi ka shkuar zvarrë për rreth 100 metra. Ai ndaj edhe një lajm të mitë se të lënduarit janë mirë.

“Autobusi ka shkuar zvarrë diku rreth 100 metra. Të lënduarit janë më mirë”, ka shtuar ai.

Ora 17:23
Në nder të 10 viktimave nga aksidenti tragjik në Kroaci, e hëna shpallet ditë zie në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës ka marrë vendim që dita e hënë, 26 korrik 2021, të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë vdekur tragjikisht në aksident trafiku në Kroaci.

Nga presidenca përmes një njoftimi për media kanë thënë se për shkak të kësaj ngjarje tragjike, Osmani e ka ndërprerë vizitën në Japoni dhe nesër do të udhëtojë për në Kosovë.

Kryeministri Albin Kurti, tashmë është nisur për në Kroaci për të vizituar bashkatdhetarët e lënduar të cilët po marrin trajtim mjekësor në spitalin e Slavonski Brodit.  

Së bashku me kryeministrin kanë udhëtuar edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe shefi i Stafit të Kabinetit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela.

Ndërsa, shefi i Mbrojtjes Civile në Kroaci, Damir Trut dhe Ministri i Shëndetësisë Vili Berosh kanë qenë sot në vendin e ngjarjes tragjike.

Ora 14:46
I ati humbi jetën në aksidentin tragjik në Kroaci, postimi prekës i djalit të shoferit: Dhimbja shumë e madhe! Ditën që të çova te autobusi të përqafova, por pak

Naser Sylmetaj me të birin, Adhurimin

Me një postim prekës ka reaguar djali i Naser Sylmetaj, një nga shoferët e autobusit që u aksidentua mëngjesin e sotëm në Kroaci, i cili  humbi jetën. Ai thotë se dhimbja është e madhe, ndërsa shton se ditën që e çoi te autobusi e kishte përqafuar, por pak, duke mos ditur se ajo do të ishte hera e fundit që përqafonte të atin.

“Ah mar bab, dhimbja shumë e madhe malli shumë i madh, atë ditë kur t`kam çu tek autobusi t`kam përqaf po pak bre. Ishalla zoti n`xhenet” shkruan Adhurimi, djali i shoferit Naser Sylmetaj.

Ora 14:05
Arrestohet shoferi i autobusit të aksidentuar me 10 viktima, mediat kroate zbulojnë dëshminë: Më zuri gjumi për një moment

Mediat kroate bëjnë me dije se shoferi i autobusit i cili u aksidentuar mëngjesin e sotëm në Kroaci dhe humbën jetën 10 persona është arrestuar.

Prokurori Slavko Pranjić tregoi se gjatë dëshmisë së tij shoferi tha se për një moment e zuri gjumi teksa po drejtonte automjetin.

“Ai deklaroi se e zuri gjumi për një moment, por ne do ta hetojmë atë më vonë,” shtoi Pranjiç.

Ora 12:29
Aksidenti/ Ministri kroat i Shëndetësisë: 15 persona të plagosur rëndë, mes tyre edhe një vajzë e mitur

Ministri i Shëndetësisë në Kroaci

Ministri i Shëndetësisë në Kroaci, Vili Beroš, në një deklaratë për mediat, dha detaje në lidhje me situatën e të lënduarve në aksidentin tragjik në Brod të Kroacisë. Ai tha se 15 prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë, me stë cilëve është edhe një vajzë e mitur.

"69 persona, 67 pasagjerë dhe 2 shoferë ishin në autobus, 15 persona u plagosën rëndë. Kishte edhe të mitur në autobus, një vajzë është plagosur rëndë", tha ai.

Ora 11:49
Mes 10 viktimave në aksidentin tragjik në Kroaci, 'Report Tv' siguron foton e shoferit rezervë që humbi jetën mëngjesin e sotëm! U ndërrua me kolegun 30 min para ngjarjes

1627206421_shofei.jpg

Personi që  shihni në foton më lart është Naser Sylmetaj, një nga viktimat e aksidentit tragjik që u regjistrua në Kosovë ditë e sotme. AI ishte një nga shoferët e autobusit, ndërsa vetëm 30 minuta para aksidenti, ai u largua nga timoni, për tja dhënë këtë detyrë shoferit tjetër. Fatkeqësisht, aksidenti rezultoi fatal për të. Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur i nipi nëpërmjet një postimi në Facebook.

Ora 11:47
Aksidenti tragjik në Kroaci me autobusin me targa nga Kosova, shefi i emergjencave kroate jep të dhënat e fundit

1627207146_kr.png

 Shefi i emergjencave kroate Damir Trut ka dhëne para mediave detajet e fundit të aksidentit tragjik që ndodhi mëngjesin e sotëm në Kroaci ku autobusi me targa Kosove u përmbys në rrugë.

"Sipas informacionit aktualisht të disponueshëm, 10 persona vdiqën si pasojë aksidentit tragjik në autostradë, ndërsa më shumë se 40 u transportuan në një spital në Slavonski Brod. Në autobus ishin 67 pasagjerë dhe dy anëtarë të ekuipazhit, dy shoferë. Nëntë pasagjerë dhe një shofer humbën jetën. 44 pasagjerë u shtruan në spitalin Slavonski Brod ku iu dha ndihma mjekësore. Tetë prej tyre u plagosën rëndë, katër janë operuar deri më tani. 14 pasagjerë dhe një shofer janë në Stacionin Policor, duke pritur që të pajisen me akomodim në një objekt që do të sigurohet nga bashkia e  Slavonski Brod ", tha Damir Trut nga vendi i aksidentit.

Ora 11:25
Aksidenti me 10 viktima në Kroaci, Haradinaj: I tronditur, pranë familjarëve të viktimave

Nga reagimet e shumta pas aksidentit me 10 viktima në Kroaci, ka reaguar edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Përmes një postimi në ‘Facebook’, Haradinaj shkruan se është tronditur nga kjo ngjarje, teksa shpreh ngushëllimet për personat që kanë humbur jetën. Ndër të tjera Haradinaj ka falënderuar edhe kryeministrin kroat, Andrej Plenkovic për interesimin që ka treguar në lidhje me ngjarjen.  

“I tronditur nga ngjarja e sotme tragjike në Kroaci, pas aksidentit që pësoi autobusi që po vinte nga Gjermania në Kosovë. Bashkëndjej me familjarët e dhjetë udhëtarëve që humbën jetën dhe lutemi për shërimin e shpejtë të të lënduarve. Falënderoj organet e shtetit kroat, e në veçanti kryeministrin z. Andrej Plenkovic për interesimin dhe kujdesin e tij”, shkruan Haradinaj.

Ora 11:23
Aksidenti tragjik në Kroaci, Osmani: Autoritet kroate na konfirmuan 10 viktimat, shteti i Kosovës do jetë në krah të familjarëve

1608286993_vjosaluli1.jpg

Presidentja Vjosa Osmani ka bërë me dije se autoritet kroate i kanë konfirmuar Kosovës humbjen e 10 personave nga aksidenti tragjik i shënuar paraditen e sotme në Kroaci. Ndër të tjera,përmes një postimi në ‘Facebook’, Osmani shpreh ngushëllimet për viktimat e ndërsa thekson se shteti i Kosovës do t’iu gjendet pranë të gjithë familjarëve.

“Lajm tragjik e i rëndë sot për vendin tonë.

Nga kontakti me Ambasadën e Kosovës në Zagreb dhe me autoritetet kroate, jam njoftuar se nga një aksident komunikacioni që ndodhi në Slavonski Brod të Kroacisë, kanë humbur jetën tragjikisht dhjetë udhëtarë e shumë të tjerë janë lënduar.

Me zemër e me shpirt sot jemi me familjet që humbën më të dashurit në këtë tragjedi. Dhimbja është e papërshkrueshme e humbja shumë e madhe. Ngushëllime të sinqerta për të gjithë!

Shteti i Kosovës do të jetë në krah të familjeve të atyre që humbën jetën, sikurse edhe të të lënduarve, të cilëve ju dëshiroj shërim të shpejtë.

Veprimet tona shtetërore do të jenë në funksion të lehtësimit të dhimbjes së familjeve që humbën më të dashurit e tyre, ndaj zyrtarë të institucioneve të Kosovës tashmë janë nisur për në Kroaci për t`u dalë në ndihmë qytetarëve tanë të përfshirë në këtë aksident tragjik”, shkruan Osmani.

Ora 11:17
Aksidenti tragjik në Kroaci, gazetarja nga Kosova: Dyshohet se shoferi ka qenë i përgjumur

 

Nuk ka ende informacione zyrtare mbi shkaqet e aksidentit të rëndë që u regjistrua mëngjesin e sotëm në Kroaci, por paraprakisht dyshohet se shkak ka qenë përgjumja e shoferit. Kjo u bë me dije nga Pranvera Behluli, redaktore ne Front Online dhe anetare e Bordit e Asociacionit te Gazetareve te Kosoves, në një lidhje telefonike për Report Tv.

Ora 11:09
Aksidenti tragjik në Kroaci, Shefi i Policisë Rrugore: Aksidenti më i rëndë që kam parë

  

Shefi i Policisë Rrugore të Stacionit Policor Slavonski Brod, Franjo Galiç e konsideroi aksidentin, si më të rëndin që ai kishte parë ndonjëherë.

 “Unë kam qenë në shumë aksidente, por ky është me të vërtetë i rëndë dhe mendoj se është një nga aksidentet më të rënda që kam parë.

Autobusi ishte plot, por nuk mund të them nëse kishte fëmijë mes të vdekurve ose të plagosurve. Sipas udhëtarëve, kishte mbi 60 persona në autobus”, tha ai.

Ora 11:02
Mjeku kroat jep detaje nga aksidenti tragjik i autobusit kosovar: 45 persona janë të lënduar, 8 rëndë

1627204215_drejtorui.png

Dhjetë persona kanë humbur jetën dhe mbi 30 të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur mëngjesin e sotëm, rreth orës 06:00, në Slovenski Brod, në Kroaci, në të cilin ka qenë i përfshirë një autobus nga Kosova

Drejtori i spitalit, Doktori Josip Samardžić, ka thënë se 45 persona janë pranuar në spital që nga ky mëngjes, të cilët kishin kërkuar ndihmë mjekësore . Ndërsa, tetë prej tyre janë plagosur rëndë.Ndërkohë rreth orës 11:30 ne spital do zhvillohet konferenca i pranishëm dhe ministri kroat i Shëndetësisë Vili Berosh.

 

Ora 10:53
Aksidenti me 10 viktima, Kurti: S’kemi njoftim zyrtar për detajet, Ministri i Brendshëm drejt Kroacisë

1625120632_autokurtium19.55.201591207115.jpg

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas lajmit se një autobus me targa kosovare është aksidentuar në Kroaci e për pasojë 10 njerëz pasagjerë kanë ndërruar jetën. Përmes një njoftimi në ‘Facebook’, Kurti shkruan se akoma nuk kanë marrë një njoftim zyrtar, por ministri i Punëve të Brendshme është nisur drejt Kroacisë, ndërsa edhe ambasadori në Zagreb është drejtuar drejt vendit të ngjarjes. Ndër të tjera Kurti shkruan se me ankth e shpresë janë me familjarët në këto momente të vështira.

“Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për aksidentin tragjik në Kroaci, të një autobusi me targa të Kosovës. Ndonëse ende nuk kemi konfirmime zyrtare për detajet, lutemi të ketë sa më pak të vdekur e sa më shpejt të shërohen të lënduarit.  Ministri ynë i Punëve të Brendshme po niset për Kroaci, ndërkaq drejt vendit të aksidentit te autostrada e Sllavonski Brodit tashmë është nisur ambasadori ynë në Zagreb. Me ankth e shpresë jemi pranë qytetarëve tanë dhe familjeve të tyre në këto çaste të rënda”, shkruan Kurti.

Ora 10:50
Aksidenti tragjik, kryeministri i Kroacisë: Jemi me popullin dhe autoritetet e Kosovës

Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç ka reaguar pas aksidentit tragjik që u regjistrua mëngjesin e sotëm, ku një autobus nga Kosova doli nga rruga, ku për pasojë humbën jetën 10 persona dhe mbetën të plagosur 30 të tjerë.

Në Twitter, Plenkoviç thotë se Kroacia ndodhet në krah të popullit dhe autoriteteve të Kosovës.

“Me trishtim të madh morëm lajmin për një autobus që u aksidentua afër Slavonski Brod në të cilën humbën jetën 10 persona. Mendja jonë është te familjet e viktimave, autoritetet dhe popullin e Kosovës, të cilëve u shprehim ngushëllimet tona të thella. Shpresojmë që pasagjerët e lënduar të shërohen më shpejt”, ka shkruar kryeministri kroat Andrej Plenkoviç në Twitter.

SI.E.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Fatkesi: 26/07/2021 03:31

    Ngushdhime familjev ngjarje shum e ran ky ishte nje rrezik kuj do do ti kishte nodh shoferi ma merr menja nuk e don vedin gjall as ai por rreziku nodh Ngushdhime familjeve te viktimave kjoshin mir ne jeten e vertet

    Përgjigju
  • Me kosoven tone: 25/07/2021 16:24

    Ngueshllime vellezerit tane U qofte dheu i leht. Shoferin mos e denoni rrogetar esht kurr asnje shofer nuk do qe ti ndodhi kjo fatkeqesi . Ngushellimet e mia te perzemerta familjarve Qofshin te xhenetit

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë