Etjon Lazri, i riu që u përfshi në këtë aksident në Porcelan ku si pasojë humbën jetën dy persona, është liruar nga burgu. Vendimi është marrë në fund të muajit prill 2020 nga gjykata e Apelit Tiranë, e cila urdhëroi që Lazri, të lirohet nga burgu ku mbahej i izoluar për aksidentimin me vdekje të 2 personave Erion Balla 36-vjeç dhe një grua 72-vjeç Hidajete Salliu. Momentalisht Lazri ndodhet në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Lirimi i Lazrit vjen në një kohë kur prokuroria e Tiranës, ka vendosur të marrë të pandehur Lazrin dhe çështja kundër tij, ndodhet në gjykatën e Tiranës, në pritje për t'u futur në gjykim. Shkak i këtij aksidenti me pasojë dy viktima të ndodhur në zonën e Porcelanit, është shpejtësia tej normave të lejuara e mjetit që drejtonte Etjon Lazri dhe një parakalim i gabuar, i njërës prej makinave që ndodhej në rrugë.