Policia e Beratit ka arrestuar të shtunën 37-vjeçarin nga Fushë-Kruja, Ylli Luka, i cili në datën 28 korrik aksidentoi rëndë duke i thyer të dyja këmbët policin e qarkullimit rrugor Jonuz Vrapi.
Policia bën të ditur se arrestimi i 37-vjeçarit është bërë i mundur pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Apelit në Vlorë, e cila ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për Ylli Lukën, mbi të cilin rëndojnë akuzat për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës”, “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largim nga vendi i ngjarjes”.
Vendimi i Apelit është dhënë pas ankimimit të Prokurorisë Berat, e cila kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg”. Dy javë pas aksidentimit të policit, i cili kishte ndërhyrë për të shuar sherrin e Lukës me disa të rinj në Kuçovë, 37-vjeçari ishte lënë i lirë nga Gjykata e Beratit, e cila bazuar në provat dhe faktet e depozituara nga Prokuroria, vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” .
Vendimi u mor pasi përpara gjykatës nuk u depozitua akt ekspertimi mjeko-ligjor për gjendjen shëndetësore të policit Jonuz Vrapi, por as dëshmia e tij. Prokuroria ngriti tre akuza ndaj 37-vjeçarit Ylli Luka, “Goditje për shkak të detyrës”, “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largim nga vendi i ngjarjes”.
Por, sipas vendimit të Gjykatës së Beratit për lirimin e Lukës, “Goditje për shkak të detyrës”, “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë plagosjen janë dy akuza që përjashtojnë njëra-tjetrën. Ende nuk dihen argumentet e Gjykatës së Apelit në Vlorë, e cila ka vendosur ndryshimin e masës së sigurimit për Ylli Lukën. Policia ka ekzekutuar vendimin e kësaj gjykate, duke arrestuar 37-vjeçarin, ndërsa hetimet për këtë çështje po vijojnë nga Prokuroria e Beratit.
Para pak ditësh, polici i aksidentuar në të dyja këmbët, bëri apel në media që të zbardhet e vërteta e ngjarjes. Vrapi tha se ishte goditur qëllimisht nga 37-vjeçari për shkak të detyrës, ndërsa deklaroi se nuk ishte marrë në pyetje nga grupi hetimor.
Pashë një grup që po debatonin me një djalë. Gjatë debatimit ndërhyra për të shmangur konfliktin. I thash djalit largohu nga vendi se do bëjmë shoqërimin e personave përkatës. Ai iku 3-4 dhe i dha drejtim mjetit nga jugu, me frenat e dorës bëri një manovrim dhe duke xhiruar të katërta gomat, më goditi. Ai u kthye prapë e i ra turmës. Kur i ra turmës për herë të dytë, unë duke u zvarritur u shmanga rreth një metër që të hipja në cep të trotuarit se nuk po komandoja dot këmbët.
Jonuz Vrapi, polici i plagosur
Njoftimi i policisë:
Më datë 18.08.2018, u arrestua shtetasi Y.L, 37 vjeç, banues në fshatin Nikël- Fushë Krujë, pasi Gjykata e Apelit Vlorë, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg”për veprat penale ‘’Goditje për shkak të detyrës’’, ‘’Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor’’ dhe ‘’Largim nga vendi i ngjarjes’’ parashikuar nga nenet 237, 290 e 273 të Kodit Penal.