TIRANË- Policia Rrugore e Tiranës arreston Ekerem Skureni, shoferin e automjetit që aksidentoi 3 të miturit që lëviznin me monopatinë në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Ai akuzohet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Burime bëjmë me dije se sipas ekspertizës së bërë në vendngjarje, ka rezultuar se të miturit, të ndarë në 2 monopatina, kanë kaluar rrugën me semafor të kuq, ndërsa shoferi i makinës me semafor portokalli.

Automjet i bardhë i rrjetit të supermarketeve “Pronatyra”, i përplasi të miturit në të dyja monopatinat në kryqëzim, dhe i mori para për disa metra, duke u ndaluar në cep të lulishtes të “Tajvanit”. Makina ishte duke ecur në korsinë e dedikuar të mjeteve të transportit publik.

Dy të vegjël, 9 dhe 11 vjeç, mësohet se janë në gjendje shëndetësore të stabilizuar nën kujdesin e mjekëve në spitalin e traumës me dëmtime në krah dhe në këmbë. I treti, një 11-vjeçar është në gjendje të rëndë. Siç bluzat e bardha thonë për Report Tv ai ka marrë një goditje në kokë.

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, mbi aksidentin rrugor në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, informojmë se në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët e qarkullimit rrugor kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. S., 41 vjeç, pasi me automjetin që drejtonte, përplasi 2 monopatina me të cilat lëviznin 3 shtetas të moshave 10, 11 dhe 12 vjeç, të cilët aktualisht janë në spital, në kujdesin e mjekëve”, informoi sot policia.