Policia ka arrestuar dy shoferët që dyshohet se shkaktuan aksidentin fatal që i mori jetën 7-vjeçarit paraditen e sotme në Tiranë.

Në prangat e Policisë kanë rënë 55-vjeçari Kostandin Shukullli dhe 42-vjeçarja Valentina Selman Koltraku. Shukulli dyshohet se ka qenë i pari që e ka përplasur të miturin me automjetin e tij dhe më pas ka qenë Valentina Koltraku e cila i ka dhënë goditjen e dytë.

Aksidenti me pasojë vdekjen ka ndodhur këtë të martë në rrugën “Kastriotët”, në kryeqytet. Po ashtu bëhet e ditur se pas aksidentit, të dy shoferët janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Pavarësisht ndihmës së dhënë, i mituri ka ndërruar jetë në spital, pasi nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra. Ndërkohë grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë/Zbardhen autorësia dhe rrethanat e aksidentit të ndodhur mesditën e sotme, në rrugën “Kastriotët”, me pasojë vdekjen e një të mituri.

Identifikohen dhe vihen në pranga drejtuesit e 2 automjeteve të përfshira në këtë aksident.

Gjenden dhe sekuestrohen 2 automjetet.

Si rezultat i hetimeve të kryera nga grupi i posaçëm, menjëherë pas aksidentit të ndodhur rreth orës 11:20 të datës 24.02.2026, në rrugën “Kastriotët”, si pasojë e të cilit humbi jetën një 7 vjeçar, specialistët e qarkullimit rrugor identifikuan dhe arrestuan autorët e dyshuar të rastit, shtetasit T. Sh., 55 vjeç dhe V. K., 42 vjeçe.

Nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se i mituri është përplasur fillimisht nga automjeti që drejtonte 55-vjeçari dhe më pas nga automjeti që drejtonte shtetasja V. K.

Të dy drejtuesit e automjeteve janë larguar nga vendi i aksidentit.

Gjatë veprimeve hetimore, 55-vjeçari, i cili e ka transportuar të miturin, në spital, ka tentuar të mohojë dijeninë rreth aksidentit.

Hetimet vijojnë për të individualizuar dhe dokumentuar përgjegjësinë penale të secilit prej të arrestuarve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.