39 persona janë arrestuar sot në Kosovë në kuadrin e një aksioni të gjerë kundër abuzimeve të regjistruara në Byronë Kosovare të Sigurimit.
Në mesin e të arrestuarve janë edhe ish-drejtori ekzekutiv i BKS-së, Sami Mazreku, dhe ish-drejtori i Financave, Valon Berisha, të cilët dyshohen se i kanë shkaktuar institucionit një dëm prej mbi 1 milion euro.
Në një konferencë për shtyp, kryeprokurori i Prokuroria Themelore e Prizrenit, Petrit Kryeziu, tha se hetimet nisën në mars të vitit 2025 dhe zbuluan se si personat e dyshuar kishin mundësuar kryerjen e 166 transaksioneve të dyshimta. 25 nga këto transaksione lidhen me 12 persona, me të cilët të akuzuarit dyshohet se kanë arritur marrëveshje fiktive jashtëgjyqësore për kompensim. Falë këtyre marrëveshjeve, palët e përfshira në aksidente trafiku në vitet 2026 dhe 2017, kishin përfituar dëmshpërblime edhe gjatë viteve 2022 dhe 2023. Shuma më e vogël e një transaksioni të dyshuar ka qenë 6.800 euro, ndërsa më e madhja 68.000 euro.
“Deri në këtë fazë vlerësojmë se përmes dokumenteve të dyshuara të falsifikuara, BKS-së i është shkaktuar dëm në vlerë prej 1 milion e 43 mijë euro”, deklaroi Kryeziu.
Gjatë bastisjeve, prokurorët sekuestruan 23.700 euro para, ari, aksesorë, ora dore dhe pajisje elektronike.
Bastisjet u zhvilluan në Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Pejë, Klinë, Rahovec, Obiliq, Gjilan, Ferizaj dhe Dragash.
Kryeprokurori Kryeziu paralajmëroi se hetimet për këtë rast do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Komente










